Revista PERPJEKJA

Ndodheni këtu: Faqja kryesore » Ani Spahivogli
E Premte, 19 Pri 2024

Ani Spahivogli

Poezi

E Shtunë, 05 Nëntor 2011 16:29 Publikuar në Nr. 8

Peizazh

Kilometra vargjesh
varur në tel
presin diellin të thahen.
Një fëmijë rërën gërvisht
në plazh
dhe futet në det.
Karrigia jonë
u shemb,
tani kemi një vend më pak.
Në qiell është shtrirë
një re-çarçaf,
për zogjtë e lodhur

Pa titull 1


Ditët vendosën të martohen
me javët,
dhe muajt me vitet.
Ne, mbetëm jashtë kohe
dhe ëndërruam të ishim
ditë ose javë,
muaj dhe vite.
Lëmshe rrugësh çmbështollëm
dhe ecëm mbi to,
nga shenjat gjuhësore
i zhdukëm
pikpyetjet, presjet dhe pikat,
e kurrë nuk harruam
me kujdes të qeshim,
dhe as të qajmë.
Fjetëm bashkë,
dhe bashkë u zgjuam mëngjeseve,
fëmijët që lindën prej nesh
s patën emra,
as rrugët s do të kenë.
... Ditët vendosën të martohen
me javët,
e muajt me vitet.
Jashtë mbetëm ne.

PA TITULL 2


Ditët
janë veshur me frak
dhe divorcojnë netët
në gjyqe mëngjesesh,
larg kafesë
dhe tymit të duhanit,
në shtretër të boshatisur
nga dëshirat dhe fjalët.
Larg prej meje
mendime të mbrapshta!
sot fëmijët bëhen pleq
e të rinjtë burra,
dielli unazë dhe unazat
teneqe.
Larg prej meje
ditë të bukura!
që sot e tutje
unë
do të plakem.

GABIM I PËRHERSHËM


Unë
kam në shtëpi
dy lule të kaltra
që nuk më pëlqejnë
dhe një tjetër
që shumë e dua, të gjelbër.
Kam dhe një vazo në dhomë,
plot me dhè të mbushur,
pa lule.
Atë
gabimisht
e ujis përditë.

 

NJË KËNGËTAREJE QË


Unë tu s të njoh,
ti muzikë bluz këndon
për ne
nga larg
dhe bëhemi shoqe.
Këtu një qen leh me forcë
dhe orët
kthyer janë
në infeksion
që na ngjitet përditë.
Pianoja ime
këndon vetë,
edhe kitarra,
në ëndërr unë veten shoh
duke kënduar më bukur se ti,
nesër gjeli do të këndojë në agim,
unë s do ta dëgjoj
se nuk dua të zgjohem,
por kur të çohem
pantallonat do vesh,
dhe bluzën,
dhe këpucët
e ti këndo
muzikë bluz për ne dhe pak
... më mirë, më mirë të mos jemi
shoqe bashkë