Revista PERPJEKJA

Ndodheni këtu: Faqja kryesore » Arben Dedja, Brixhilda Ndini, Redi Gjuzi, Mimoza Picari, Majla Zeneli
E Premte, 19 Pri 2024

Arben Dedja, Brixhilda Ndini, Redi Gjuzi, Mimoza Picari, Majla Zeneli

Arben Dedja

milingonat
gëlojnë
miliona e miliona
milingona
milimetër për
milimetër
lëvrijnë
miliarda miliona
milingona
militante të milimetruara
militojnë
milen
milingojnë


Shpella e trishtimeve të tua  (1994)

-------------


Brixhilda Ndini


KËNAQËSIA E PERËNDIVE


Ëngjëjt nuk dinë të qajnë,
Nga sytë nxjerrin veç dritë
Mos u mërzit i dashur
Që nuk ndjen dot dhëmshuri për mua.


Perandori im  (1995)


-----

 

Redi Gjuzi


DREJT HIÇIT PO SHKOJ ME LAVDI


Eci si i mpirë
Urbani ndaloi në stacion
Lidhëset m u zgjidhën
Ula kokën dhe volla.
Kërkoj një cigare në xhep
Sikur të kisha një pistoletë,
a do të vrisja dikë?
(rruga është bosh!)
Vrapoj si një pijanec i dehur,
Koka u ftoh
Po më kruhet...
Një lypës po fle.
Kam nevojë për trupin tënd
Shurroj poshtë orës së madhe
Sy maceje jeshil
Një qen po ngordh
Këpuca m u zgjidh prapë.
Kam nevojë për një cigare
Një lypës po fle
... Drejt hiçit po shkoj me lavdi.


Drejt hiçit me lavdi  (1996)

---------------------


Mimoza Picari


MUSHKONJA


Ajo në tavan
unë në dysheme
Ajo fluturon
unë eci pëdhe.
Ajo këndon rëndom
unë dëgjoj dhe hesht;
Ajo më merr gjak
unë kruhem dhe hesht.


Një e dyta  (1996)

-----------

Majla Zeneli


UNË


Unë u shtriva në mes të krevatit
si një rrugë
dhe flokët e mija
binin si shi
E pjesët e anëshme të krevatit
trotuare u bënë.
Shiu përplasej mbi to
me rreptësi,
sidomos mbi jastëkun
- një kafshë e bardhë!
Një lëkurë e regjur u bë mbulesë.
Uniforma e rrugëve me pemë
u vesh sërish.
Dhe unë e shtrirë mbi krevat
ëndërroja për të qenë rrugë.


Autoportret  (1994)