Revista PERPJEKJA

Ndodheni këtu: Faqja kryesore » Fatos Lubonja
E Premte, 20 Tet 2017

Fatos Lubonja

Editorial: Përpjekja e jonë

E Martë, 25 Tetor 2011 09:14 Publikuar në Nr. 24

Njerëzit që mungojnë sot duhen krijuar dhe ata që flenë duhen zgjuar. Këto fjalë i ka shkruar Vangjel Koça 73 vjet më parë, kur shoqëria shqiptare sapo kishte filluar të formësohej në kuadrin e një shteti të pavarur kombëtar. Shkrimi i tij me titull Përpjekja jonë, që po e botojmë të plotë në këtë numër, është në formën e një përgjigjeje që i jep Koça konstatimit të hidhur të një miku, i cili i ka thënë se përpjekja e tyre intelektuale në jetën shqiptare që po kalonin ishte një mundim i kotë, sepse sipas tij - mungon rrethi që ta kuptojë dhe të vihet nën flamurin e saj.

Për çfarë njerëzish e ka fjalën Vangjel Koça në vitin 1934? E ka fjalën për njerëz që të kenë heroizmin e një shpirti që përpiqet për një gjë të bukur e të drejtë, kundër çdo kovencioni, poshtërsie, egoizme dhe vulgariteti. E ka fjalën për njerëz prototipin e të cilëve ai e gjen tek Don Kishoti të cilin - ve në dukje Koça - nuk duhet ta shikojmë si një figurë qesharake, por si një hero të idealit. Koça sjell në ndihmë edhe Miguel de Unamunon duke cituar thënien e tij se historia e Don Kishotit është një Ungjill për ata që dëshirojnë shpëtimin nga konvencionalizmi dhe nga urtësia meskine.

Na ka tërhequr vëmendjen edhe një polemikë e Tajar Zavalanit me shkrimin e Koçës, të cilin po ia sjellim, edhe atë, të plotë lexuesit të Përpjekjes. Në shkrimin e tij Don Kishotë apo pionierë Zavalani polemizon me interpretimin që i bën Koça Don Kishotit lidhur me njerëzit që i duhen Shqipërisë. Interpretimi i tij na kujton edhe një parathënie të mirënjohur të Fan Nolit, për vëllimin e parë të librit të Servantesit, përkthyer po prej tij, e cila është dhënë si i vetmi çelës i leximit të veprës së shkrimtarit të madh spanjoll në shkollat e mesme të kohës së komunizmit. Është një interpretim në frymën deterministe e progresiste të materializmit dialektik e historik. Don Kishoti, sipas këtij interpretimi, shihet si një figurë që shikonte prapa, që ëndërronte një botë që s'kish të nesërme, si njeriu i së shkuarës, si përfaqësuesi i klasave të rëna nga vakti. Kurse, sipas Zavalanit, ata që lëftojnë kundër orientalizmës këtu në Shqipëri, kundër idarei-masllahatit, kundër plagëve që s'na lënë të vemë përpara, ata shikojnë përpara, kasnecojnë një botë që do të triumfojë më doemos, janë njerëzit e së ardhmes. Duke ditur pikëpamjet komuniste të Zavalanit nuk mund të mos mendosh se ai e ka fjalën pikërisht për ata të paktë që kishin filluar të përqafonin idetë marksiste në Shqipëri, të cilët, gjithë sipas Zavalanit, nuk verbohen me ëndrat e fantazis së tyre, nuk dehen me utopira të parealizueshme. Ata janë realistë në kuptimin e lartë të fjalës, ata shikojnë më lark se të tjerët, e ndjejnë se ku po na shpie rryma historike e palëftuarshme dhe duan të shpejtojnë këtë evolucion, këtë të ecur përpara. Jo Don Kishot, po militant të frymës së ré, kështu do ta quanja unë typin e Përpjekjes sonë, replikon Zavalani. Por edhe ai nuk mungon të verë në dukje se në Shqipërinë e asaj kohe këta të paktë lëftohen, përbuzen, shikohen me një buzëqeshje ironike dhe quhen njerës që s'i përshtaten kohës, ambientit dhe nuk dinë të përfitojnë nga rrethanat.

Pa u futur në analizën e kësaj polemike, që meriton një përthellim filozofik jo të lehtë, pasi në thelbin e saj do të gjejmë ballafaqimin e dy filozofive të ndryshme të historisë, do të thonim se një lexim jo ad literam i Don Kishotit, por si metaforë universale, nuk e kundërve njeriun që kërkon Koça me atë që kërkon Zavalani pasi që të dy janë dy forma të njeriut idealist. Në thelbin e librit të Servantesit, që barabitet me veprat e Shekspirit për nga rëndësia dhe ndikimi, qëndron lufta e reales me idealen në këtë botën tonë dhe në vetë shpirtin e njeriut. Libri ka, prandaj, një plan të dyfishtë, të humorit dhe dhimbjes. Por të qeshurit me Don Kishotin, - satira më e tmerrshme ndaj ekzaltimit njerëzor e ka quajtur Hajne - nuk është i mbarsur me përçmim ndaj personazhit, ai nuk na bën të përqeshim një klasë të përmbysur, siç thonë Noli dhe Zavalani. Avantyrat e tij na bëjnë të qeshim me dashuri dhe dhemshuri njëherësh. Dashuri, pasi tek marrëzia e tij gjejmë mënçurinë dhe guximin e idealizmës; dhemshuri, pasi ai del gjithnjë i mundur. Don Kishoti është ai që kërkon të pamundurën, ndërkohë që shumica kërkon të mundurën, që kërkon moralitetin në një shoqëri të zhbërë moralisht, që kërkon të vërtetën në një botë ku mbretëron gënjeshtra dhe kjo e bën të duket imarrë. (Shih dhe F. Lubonja: Don Kishoti, Fan Noli dhe Korrieri, Shekulli mars 2002) Përpjekja i ka ribotuar shkrimet eKoçës dhe të Zavalanit sepse, duke lexuar ato, nuk mund të mos mendosh për kohën tonë e të konstatosh se edhe pas katër pesë brezash, Shqipëria e sotme e fillimshekullit XXI ka shumë karakteristika të ngjashme me atë periudhë. Dhe ajo që e bën ngjashmërinë nuk janë anët materiale të jetës. Ato kanë ndryshuar shumë. Ajo që i bën të ngjashme të dy kohët është pikërisht mungesa e Don Kishotëve apo pionierëve që kërkojnë Koça dhe Zavalani, e atyre që ndërtojnë shpresën dhe besimin tek e ardhmja, tek vlerat më të larta shpirtërore, e njerëzve që luftojnë, ashtu si Don Kishoti, për triumfin e drejtësisë mbi këtë botë. Dikush mund të bëjë vërejtjen se kështu ka qenë e do të jetë gjithmonë bota, një republikë e mediokërve, ku Sokratët e vuejtun kanë qenë gjithnjë të paktë në krahasimme derrat e kënaqun. Koça kërkon Don Kishotë, por a nuk është një nga tiparet kryesore të këtij heroi qënia e tij i vetmuar përballë shumicës së dominuar nga egoizma, vulgariteti, konformizmi, apo urtësia meskine.

Megjithatë nuk mund të mos bëjmë dallimin midis atyre shoqërive ku mazhorancat vulgare mbretërojnë të pashqetësuara dhe atyre shoqërive ku ato sfidohen, apo dhe udhëhiqen nga njerëzit e botës shpirtërore, të idealit e të heroizmës së mendimit, nga Don Kishotët apo pionierët. Madje, nëse do të kërkonim një kriter matës të përparimit të disa shoqërive, në krahasim me të tjera, një ndër ta, në mos ai më kuptimploti, do të ishte pikërisht ai që tregon rritjen e numrit të Don Kishotëve, apo pionierëve në ato shoqëri si dhe aftësinë e shoqërisë për të ndjekur ata dhe jo mësuesit e nënshtrimit e konformizmit, të urtësisë meskine dhe egoizmit vulgar. Tek e fundit, kjo diferencë ka të bëjë me diferencën midis shkallëve të lirisë dhe demokracisë së një shoqërie.

Prandaj nuk mund të mos shtrojmë pyetjen pse shqiptarët i tallin e i përqeshin në vend që t'i duan Don Kishotët? Pse edhe vetë librin e famshëm nuk kanë arritur ta lexojnë si duhet. Pse nuk ka idealizëm në Shqipëri, pse ka aq pak njerëz që t i qëndrojnë koherentë ideve apo idealeve të tyre, me koston e humbjes së të sotmes, por me aspiratën e fitimit të së ardhmes dhe pse ka kaq shumë nënshtrim, konformizëm dhe egoizëm vulgar?

Nëse do të kërkojmë shkaqet e kësaj mungese nuk mund të mos ia gjejmë origjinën, tek nëna e të gjitha të këqijave injoranca. Dhe kur themi injoranca nuk kemi parasysh thjesht mungesën e dijeve shkencore. Kemi parasysh mungesën e tërë atij ushqimi të mendjes e zemrës së njeriut, tërë atyre vlerave më të mira e më të larta të vlerësuara e nderuara nga historia - për të cilat lëfton edhe Don Kishoti - pa të cilat njeriut i mungon ajo që e bën atë, ndryshe nga kafshët, një qënie që nuk përsërit vetveten, por që ka aftësinë të përmirësojë pareshtur vetveten dhe kushtet e jetës së tij. Edhe mungesa e leximit dhe kuptimit të librave si Don Kishoti është pjesë e kësaj injorance.

Dikush mund ta përgënjeshtrojë Koçën dhe Zavalanin, duke na thënë se vetëm shtatë tetë vjet pasi ata shkruan artikujt e tyre doli një brez të rinjsh që qe i gatshëm të shkonte në luftë e të jepte jetën për lirinë e atdheut, apo për idealet e komunizmit. Nuk mund të mohoet as idealizmi dhe as sakrifica e një pjese shqiptarësh gjatë Luftës së Dytë. Por ajo çka ndodhi edhe gjatë, edhe fill pas asaj lufte i jep më shumë të drejtë Koçës dhe Zavalanit. Ajo çka i karakterizon idealistët është koherenca dhe paepshmëria në mbrojtjen e idealit të tyre, kurse ajo çka ndodhi tregoi se pak, shumë pak, kishin qenë nga ai brez idealistë të tillë - një pjesë e të cilëve u eliminuan mu për këtë, - kurse ajo çka triumfoi ishte poshtërisa, egoizmi, nënshtrimi, konformizmi. Regjimi totalitar në duart e këtyre pseudoidealistëve e reduktoi njeriun shqiptar në një qënie të depersonalizuar, që në vend të edukimit me luftën pa kompromis për idealet, u detyrua të përvetësojë, për të mbijetuar, artin e skllavit, gënjeshtrën. Një mungesë e ngjashme e njeriut idealist po ndodh edhe tani, pas rënies së komunizmit, ndonëse në një kontekst tjetër. Idealistët e pakët që aspironin në fillimvitet 90 një Shqipëri ndryshe, të demokracisë dhe lirisë, të meritokracisë dhe të vlerave më të larta njerëzore, shumë shpejt u shkrinë si kripa në ujë në një totalitarizëm të ri: atë që e ka reduktuar njeriun thjesht në një qënie ekonomike, ku e vetmja vlerë është paraja dhe e vetmja kënaqësi konsumimi i saj; ku individi nuk ka asnjë ideal shoqëror përveç idealit të rregullimit të qënies së vet meskine, për realizimin e të cilit nuk ndalet përpara asnjë lloj poshtërsie. Shqipëria është shndërruar në vendin ku çdokush që refuzon t'u përshtatet ligjeve të kësaj shoqërie luftohet si kundërshtar, ose përbuzet si i paaftë, apo shikohet me një buzëqeshje ironie, si njeri që s'i përshtatet kohës, ambientit dhe nuk di të përfitojë nga rrethanat. Jemi përballë një thesi me njerëz që nuk mund të quhet kurrsesi shoqëri, pasi këta njerëz e kanë të bjerrur dimensionin e tyre social. Një thes me njerëz të cilët nuk dinë asgjë prandaj nuk dyshojnë për asgjë, të cilët, mu pse janë të paditur, po t'i këshillosh, të bëjnë armik, e që paditurinë e tyre të thellë e mbulojnë me gënjeshtrën, demagogjinë e tonet dogmatike. Kemi të bëjmë me një shoqëri ende të shtrirë përtokë pas tërmetit shoqëror që shkaktoi rënia e komunizmit. Megjithatë nukmund tëmos pajtohemimeKoçën, sipas të cilit, kjo s'do të thotë se njeriu nuk duhet të përpiqet që të përgatitë udhën për një tjetër periodë jete më të lartë dhe me kuptim më të gjerë; se ideja s'mundet të triumfojë me një herë, po, më parë duhet të shkojë nëpër disa faza gjer sa të arrijë në fazën që të kuptohet, të çmohet, të ndjehet dhe të mbretërojë në mendjet dhe shpirtrat e të gjithëve.

Nuriu

E Hënë, 24 Tetor 2011 08:24 Publikuar në Nr. 22

I burgosuri që mu afrua i pari, ditën që më zbritën nga qelia, i posadënuar, dhe hyra në kaush, ishte një burrë i shëndoshë rreth të dyzetepesave, gjysëm i thinjur, me syze me skelet katror e me xham të trashë që

Si na shohin

E Hënë, 24 Tetor 2011 08:00 Publikuar në Nr. 22

Si na shohin është një nga rubrikat e hershme të Përpjekjes, ideja e çeljes së të cilës ka lindur në një kohë e në koherencë me tërë frymën kritike që e përshkon Përpjekjen qysh nga numri i parë deri tek i fundit.

Faqja 6 nga 15