Revista PERPJEKJA

You are here: Faqja kryesore
Sunday, 17 Oct 2021
Sunday, 09 October 2011 19:31

Libri që u shit më shumë

Unë linda siç lindin pothuaj të gjithë fëmijët e tjerë, d.m.th. pas nëntë muaj barre. Vërtet lindja ime qe ca e vështirë dhe mjekët u detyruan të përdornin briskun e operacionit, por kjo nuk do të thotë që unë isha ndryshe nga të tjerët, se, fundi i

fundit, unë nuk jam fëmija i parë që ka lindur me operacion. E vetmja gjë origjinale gjatë lindjes ka qënë pesha ime: 3 kilogram e 333gram. Atë treshin e fundit besoj e ka vënë ndonjë manjak se, zakonisht, shifra e fundit është zero, por, edhe po të mos ketë qënë kështu, mos vallë ajo mori treshash tregonte se kishim të bënim me një njeri të jashtëzakonshëm?!
Si shumica e fëmijëve, unë u rrita me qumështin e nënës dhe në moshën njëvjeçare thashë fjalën e parë mama. Unë thashë po atë fjalë që thonë të gjithë fëmijët e nuk thashë as revolucion e as bombë atomike, gjë që do të dëshmonte për gjenialitetin tim. Atëherë ju ishit mbledhur të gjithë rreth meje dhe nuk ju vinte keq që unë thoja një fjalë aq të thjeshtë, por kërkonit që unë ta përsërisja, sikur goja ime do të shqiptonte sekretin më të madh të jetës.
E pra, unë nuk isha as më i mirë e as më i keq se çdo fëmijë i zakonshëm, por ju më thonit vazhdimisht se unë isha fëmija më i mirë në botë. Kjo aksiomë u ngulit në mendjen time akoma pa ia ditur mirë kuptimin. Pastaj, bashkë me plot gjëra të tjera, mësova se unë kisha sytë më të bukur, se goja ime kishte tingullin më të ëmbël, se, kur qeshja unë, qeshej bota!
Më vonë mësova se isha edhe fëmija më i zgjuar, bile edhe më i forti. Nëse kish diçka të zgjedhur në shtëpi, kjo do të më jepej padyshim mua. Më thoni tani: A nuk kisha unë të drejtë të ëndërroja se do të bëhesha princ, e pse jo, edhe mbret?