Revista PERPJEKJA

You are here: Faqja kryesore
Wednesday, 27 Oct 2021
Sunday, 09 October 2011 19:34

Prelude vuajtjes

Hiq shijen e së mirës vëlla
dhe vuaj për atë që shpresove.

Dërgoje larg atë shije...,
dhe në mundsh
Flokët e gjatë të vajzës
mos harro t i përkëdhelësh (në çaste ledhatimesh veç)
mos harro...
Sepse i shkurtër është dialogu ynë me tjetrin
dhe asnjëherë i mbaruar.

 

Hiq shijen e së mirës vëlla,
dhe vuaj,
vuaj edhe për atë çka nuk shpresove
se, në kuptofsh, është po njëlloj;
Presim të themi sipas rradhës
të thënën e stërthënë prej kohësh...
Kohë që sjell e bjerr shkëlqime
Qesharaket shkëlqime,
Vezullues një çast
Të zbehtë më pas
E shkurtër, e lodhshme, e gënjeshtërt.
Na thëthin, - E etur,
Ashtu si na volle - E dehur.
Ata që deshëm nuk do të bëhemi dot kurrë
Ata që ishim nuk mundet më të jemi
Hiq pra shijen e së mirës vëlla
dhe vuaj për atë çka jeton
Zgjatimin e flokëve të vajzës,
Shuarjen e zbehtësisë, mjegullën e dyshimit...

 


* * *
Brenda këtyre mureve
Që më fort se gjaku i tërë krimeve rëndojnë
Qëndroj
E shes ditët e mia
E para, e dyta, e treta
Në shkëmbim asgjë nuk kërkoj
e fare pak më ngushëllon
Në qoshen ku rri
Mbijetoj.
Ja!
Gjykimet kokëposhtë u kthyen
Nga kolovajtësja e argëtimit
Duke gajasur dhanë dënimin:
Unë rëndesën e këtyre mureve duhet të përtyp.
Qëndroj pra,
Ditët e mija shes -
Me dhjetëra, njëzetë, tridhjetë
Hija ime m i blen
Përpjekja Nga bota 64
E më bën të jetoj
Në qoshten ku rri
E jap e marr...
Duroj,
Brenda këtye mureve të rrejshëm
Të vërteta janë ditët e mia që shes
Me qindra, dyqind, treqind tashmë
Shijen e hidhur të faljes që jap
Me pavlerësinë e saj ngatërroj
Në qoshen ku rri
Përqafuar me torturën time,
Thuamëni një gënjeshtër të zakontë
Që të mund ta besoj si të vërtetë,
Për qoshen ku rri
e ditët e mija shes me mijra.


* * *
Provo në heshtje të durosh
E duro pa u neveritur
Përbuzjen e të përbuzurit,
Pa zëmërim, pa përkrahje e pa rikthim
Vuajte të kaluarën
për të vuajtur përsëri të tashmen...
E di, s'je veçse pak më i mirë se ata
Ata, shumë më pak fatkeqësinë e tyre njohin
E kjo e vërtetë
I tremb
Provo pastaj në heshtje të durosh
E duro pa u neveritur
Puthjen e të përbuzurit
Si një formë e re
E mallkimit sublim që pëson.


* * *
Nën kthetra fati
U zvogëluam.
Bashkë me caqet tona
U zvogëluam.
Më thjeshtë:
Jeta sikur u tall me ne
Me ne që sëbashku sot
Simbolin e vuajtjes plotësojmë

* * *
Atë mëngjes
Në qiell të pasqyruar fytyrën time pashë
Në zgjim
Si fund gjërash të kërkuara
Si fillim gjërash të padëshiruara
M u shfaq
Si depresion sundues
Si vizion qortues
Si enigmë alibie
Si ngadhnjim çmendurie
Fytyra ime
E mjerë
Në dimensione gjigante
Qiellin ma pushtoi
shikimit tim me shkimin tënd iu përgjigj
Në Djellin nën Eklipsin tim ma fshehu
Si nën një alternativë të pashmangshme
Më bëri të fshihem
Mes qytetit të vëndlindjes, - Paradoksal
E Qytetit të vendbanimit, - Bosh.
Ndarje (e parë)
Buzëqeshja e saj
Nuk të huton më,
Të të vjedhë shpirtin
Shikimi i saj
Më nuk mundet,
Puthjet e harruara në bregdet
Dallga e dimrit i fshiu
E mjera vajzë...!
Humbje (e fundit)
Ti,
Kapur pas dëshirës së vogël.
Unë,
Vdekur si pa dashur
Që të dy Ne
Hedhur rreth e rrotull
Sikur s ishim Ne
Sikur ishim pika loti.
Zhgënjim ëndrre (i vetëm)
Kalova mes dy përrallave më të bukura të fëmijërisë
dhe erdha tek ty.
Me duart e zëna nga një dhuratë e madhe ajri
të putha.
Ti buzëqeshe dhe fluturove bashkë me zogjtë,
nga lartësia më salutove
Ktheu shpejt, - me shikim më fole.
I ulur,
Në këmbë,
I shtrirë,
ndeza një Jetë me cigare dhe prita,
por ti nuk u ktheve më...
Sytë e tu gënjyen endrrën time.