Revista PERPJEKJA

Ndodheni këtu: Faqja kryesore
E Mërkurë, 08 Dhj 2021
E Dielë, 09 Tetor 2011 19:44

A janë shqiptarët pasardhësit e ilirëve apo të trakasve

Letra IV e Ardian Klosit, që u botua në numrin e kaluar të revistës, ka bërë që të na drejtohen vërejtje për polemikën e tij me Rexhep Ismailin lidhur me etnogjenezën dhe vendndodhjen e shqiptarëve në kohët e para. Nga sa kemi mundur të njihemi

me çeshtjen e prejardhjes së shqiptarëve, na duket se nuk mund të mos konstatojmë që hipoteza e etnogjenezës iliro shqiptare u fiksua si një e vërtetë e padiskutueshme në Shqipëri në kohën e regjimit të Hoxhës andej nga fillimi i viteve 60. Gjer atëhere ajo nuk ishte një tabu, por mbetej e hapur për shqyrtim të mëtejshëm shkencor. Në revistën Dituria të Lumo Skëndos shohim të botohet edhe artikulli i Gustav Weigandt-it, i cili është ndër të parët që e ka kundërshtuar me argumente seriozë etnogjenezën iliro-shqiptare. Pas viteve 60 duket se dijetarët shqiptarë, në emër të asaj që e kemi quajtur ideologjia nacional-komuniste, morën detyrën ta provojnë këtë hipotezë, ndërkohë që kundërthëniet lidhur me të ishin mjaft të forta. Debati rreth kësaj çështjeje ka vazhduar në Shqipëri edhe në Kuvendin e II të studimeve ilire në 1972-shin, kryesisht midis shkencëtarëve shqiptarë dhe të huaj. Na duket se kjo hipotezë mbetet e hapur për diskutim. Po ashtu mendimi ynë është se shumëçka në historinë e Shqipërisë nuk gjen shpjegimin e duhur duke u nisur prej saj. Sidoqoftë, duke e lënë debatin të hapur, ne po e nxisim atë duke botuar një përmbledhje të artikullit të G. Weigandt-it me bindjen se prekja e këtyre tabuve është e domosdoshme për zhvillimin e kulturës shqiptare. Artikullin e botojmë të shkurtuar nga pjesët ku autori futet në hollësira të karakterit të ngushtë profesional, pas një konsultimi me origjinalin dhe me variantin e botuar në Dituria 1928, (nr 8,9) të përkthyer nga Aleksandër Xhuvani.