Revista PERPJEKJA

Ndodheni këtu: Faqja kryesore
E Dielë, 16 Maj 2021
E Mërkurë, 12 Tetor 2011 08:45

Ditari i mërzive

Drita hyn në dhomën time sëbashku me zërin e përvuajtur të lypsit që thërret: Ndihmoni sakatin! Ndihmoni sakatin! Zoti iu dhafshtë bereqet! Zëri i tij zvarget e bashkë me të edhe trishtimi im për fillimin e ditës. Një kasetë e pandryshueshme ose

rallë e ndryshueshme ulëret me këngë nga Malësia e Madhe. Melodi e përditshme që në thellat e ndërgjegjes përshndërrohet në diçka tjetër, në refren tjetër. Qëllon shpesh që një daullexhi i kërrusur, i shoqëruar nga vocrrakët jevgjitë, t'i bjerë me sa fuqi që ka daulles së lashtë e për pasojë muzika e kasetës përbën sfondin për dam-dumet e daulles. Ngrihem nga shtrati avash; këmbët lëvizin drejt dritares së madhe dhe sytë përballen me ujin e palëvizur, të pistë, të populluar me bimë kënetash, letra, kanaçe, zhumile e lloj-lloj hedhurinash të lokaleve-hane që ndodhen sipër në krye të Gropës së Hajdinit.

Gropa e Hajdinit ka tash katër vjet që ka nisur të gjëllojë si tog fjalësh në gjuhë, të lëvrohet në biseda, të përdoret krahas proverbave dhe frazeologjizmave të kohës së strëgjyshërve tanë. Një ditë ajo do të shënohet edhe në Fjalorin e Gjuhës Shqipe në artikullin gropë për të pasuruar grupin e njësive frazeologjike të gjuhës sonë. Anës sime ia kam shpjeguar historinë e gropës dhe Ana sigurisht do t'ua tregojë fëmijëve të saj duke nisur rrëfimin: Na ishte njëherë një Hajdin i pasur, që erdhi në vendin tonë të varfër. Atdheu ishte i shkatërruar, i dreqosur, plot të këqija. Ky Hajdini donte të ngrinte një rrokaqjellë me pesë yje, që të matej me malin e Dajtit e që të zotëronte tërë Tiranën. Erdhën makina të mëdha nga Italia, u hap gropa e thellë për themelet, por paret iu mbaruan të kamurit Hajdin, pasi ushqente mjaft veta që e ndihmuan në hapjen e gropës. Ai iku, gropa mbeti, mbeti si një gojë e madhe e cila thëthinte ujërat që binin nga qielli e pisllëqet që vinin nga toka e qëniet mbi tokë ... Historia ka gjasa të vazhdojë e ajo s'është përrallë. Një fund sidoqoftë ajo do të ketë.