Revista PERPJEKJA

Ndodheni këtu: Faqja kryesore
E Martë, 26 Tet 2021
E Mërkurë, 12 Tetor 2011 08:55

Kombi dhe nacionalizmi

Lloji më i përkryer i krenarisë është krenaria kombëtare. Ajo tregon se tek ai që e mbart mungojnë vlerat individuale, për të cilat ai mund të ishte krenar. Ndryshe ai nuk do t i drejtohej asaj, duke e ndarë me miliona të tjerë. Kush gëzon vlera

personale, është në gjendje të dallojë më qartë të metat e kombit të tij, pasi i ka ato për çdo ditë përpara syve. Ajo grimcë mjerane, që nuk ka kurrfarë gjëje tjetër në këtë botë, i drejtohet mjetit të fundit, kombit të cilit i përket. Tek ai gjen prehje dhe është gati t i mbrojë me këmbë e me duar të gjitha të metat dhe çmendurirat e tij, që janë edhe të vetat.
Arthur Schopenhauer


Edhe një vit mbas koncertit të mahnitshëm të sopranos Inva Mula me Plaçido Domingo më mbushen sytë me lot nga emocioni, kur e kujtoj. Të tilla deklarime mund të dëgjosh shpesh. Askujt prej deklaruesve nuk i mbushen sytë me lot kur interpreton Monserat Kabalie apo Maria Kalas. Jo, emocionet ngjiten ne zenith kur interpreton Mula, sepse ajo është shqiptare. Më në fund, i emocionuari i përlotur ka një pikë të
përbashkët me një njeri të shquar, të cilit Plaçido i madh i puthi dorën - faktin se që të dy janë shqiptarë. Kështu, kompleksi i inferioritetit i trysnuar nga ditëpasditja jodinjitoze dhe nga krahasimi me të tjerët shpërthen sapo ndjehet ngrohtësia e një burimi pozitiv. Dhe më në fund shprehja: Nderoi kombin! Mirëpo pas kësaj, njeriut qëmendon pak më gjatë i vijnë ndërmend pyetjet: Po prostitutat shqiptare në rrugët e Italisë, po vjedhësit kronikë në dyqanet e Gjermanisë, çfarë i bëjnë kombit?

Përgjigja më e arsyshme duket se është: As Inva Mula nuk këndon për kombin dhe as vjedhësit nuk vjedhin për kombin, po kështu as Boris Beker nuk luan tenis për kombin dhe as Plaçido Domingo nuk interpreton për kombin. Por çfarë ndodh? Këtu kemi të bëjmë me një fenomen historikopsikologjik, që i shtyn një grup njerëzish të ndjejnë, të mendojnë dhe të flasin njëlloj, pra, individi identifikohet me grupin. Ata janë një komb.