Revista PERPJEKJA

Ndodheni këtu: Faqja kryesore
E Hënë, 29 Nën 2021
E Mërkurë, 12 Tetor 2011 08:58

Shtëpia, simboli popullor i shqiptarëve

Të shpjegosh shtëpinë si simbol popullor të një kombi është sigurisht një përpjekje që mund të shkaktojë keqkuptime. Prandaj dua të theksoj që në fillim se këtu është fjala për një përpjekje për të studiuar e sqaruar, në kuptimin e Canetti-t, një

nga simbolet e mundshme që janë ngulitur në vetëdijen shqiptare, në jetën dhe sjelljet e shqiptarëve. Jam i bindur se po të pyesësh çdo shqiptar se cili është simboli i kombit të tij, do të përgjigjej shqiptarizmi, flamuri kombëtar, liria, shqiponja, etj. Po kështu edhe shumë joshqiptarë mund të acarohen nga pohimi im. Në fund te fundit sot pothuajse të gjithë njerëzit dhe popujt jetojnë në shtëpi. Pse pikërisht te shqiptarët shtëpia luaka një rol kaq të rëndësishëm? Edhe këtu dua të them qysh përpara se nuk dua të pohoj kurrsesi që kjo ndodh vetëm te shqiptarët.

Mendimi se shtëpia mund të ishte simboli i shqiptarëve më lindi duke vëzhguar historinë, të sotmen dhe kulturën e këtij populli. Prandaj dua t i kthehemsë pari historisë. Për fat të keq historiografia në Ballkan (po edhe gjetiu) është më fort një çështje politike sesa shkencore. Në shërbim të politikës së ditës historianët i shpjegojnë popullit se deri ku, dikur në Mesjeten e thellë, shtrihej mbretëria e kombit të tyre. Ata tregojnë histori te dyshimta për krimet, masakrat e dëbimet që kanë ushtruar popujt fqinjë ndaj kombit të tyre paqedashës dhe heroik. Kështu historiografia kryen punën paraprake propagandistike për politikanët, të cilët pastaj me forcën e armëve duan të rikrijojnë mbretëritë e tyre të vjetra dhe për krimet e kryera ndaj popullit të tyre të hakmerren njëherë e përgjithmonë me mizori, masakra e dëbime të reja. Veçanërisht e politizuar është edhe çështja e prejardhjes së shqiptarëve.