Revista PERPJEKJA

Ndodheni këtu: Faqja kryesore
E Shtunë, 23 Tet 2021
E Mërkurë, 12 Tetor 2011 09:05

Frymë kritike apo gjedhe kritike

Me një vonesë që më shkakton keqardhje e lexova numrin e dytë të revistës Përpjekja, që ka filluar të botohet në Tiranë nën drejtimin e Fatos Lubonjës. Kur i dhashë fund leximit, u ndjeva i gëzuar pasi më në fund, në jetën tonë kombëtare, do të

kemi një revistë çfarë na ka munguar prej kohës së Albanisë së Faik Konicës, një revistë çfarë vërtet i duhet cilësisë së kulturës sonë. Them kështu për revistën Përpjekja sepse qëllimi i botuesit të saj është të nxisë Frymën kritike në kulturën shqiptare. Dhe këtë frymë kritike që në jetën tonë politike dhe kulturore, zakonisht është pritur me batare prej shumë anësh, prej të partishmëve, prej ideologëve të të gjitha ideologjive, prej folkloristëve, Fatos Lubonja e quan ashtu siç është quajtur në pjesën më të madhe të kohës në kulturat e mëdha everopiane: Tharmi zhvillues dhe emancipues. Mos ta kishin kultivuar frymën kritike në jetën e tyre politike dhe kulturore, të mos kishin krijuar gjedhe kulturore kritike, popujt e mëdhenj evropianë nuk do të ishin ku janë sot, nuk do të kishin arritur të bëheshin gjedhe e mendimit e organizimit politik dhe ekonomik të popujve të botës.
Por kur i dhashë fund leximit të revistës Përpjekja, njëkohësisht ndjeva dhe një dëshpërim krahas gëzimit. Autori i Parafjalës, flet për mungesën e frymës kritike në kulturën shqiptare, duke mbajtur parasysh vetëm krijimtarinë shkencore dhe artistike në Shqipëri. Kulturën shqiptare që është krijuar në Kosovë, më Maqedoni dhe në tokat e tjera në ish-Jugosllavi, domethënë në Shqipërinë Lindore, autori i Parafjalës nuk e mban në asnjë rast parasysh.