Revista PERPJEKJA

You are here: Faqja kryesore
Wednesday, 27 Oct 2021
Wednesday, 12 October 2011 09:34

Çuçi

Paska dritë! , ishin dy fjalët e para që nxorra sapo hyra, ende pa përshëndetur njeri. Vërtet, ajo që më ra në sy menjëherë kur gardiani hapi derën e qelisë, bashkë me praninë e ndonja tetë nëntë të ngujuarve, ishte edhe një ndriçim natyror goxha i

fortë që më befasoi. Megjithëse nëpër kampe kisha takuar sa e sa të ardhur nga burgu i Burrelit, madje edhe nga ata që ishin rikthyer prej aty më shumë se një herë, nuk e di përse përfytyrimi i tij më kishte mbetur thuajse po ai që kisha pasur qysh në jetën e lirë. Ishte përfytyrimi arketip i burgut - me frengjitë fare të vogla, errësirën dhe qenien e tij gjysmë nën tokë - i krijuar s'di se në ç'moshë të hershme nga ndonjë film apo libër dhe që, megjithë kontaktin me realitetin, kishte mbetur i paprekur diku në një skutë të botës sime ideale.
Dikush nga të burgosurit, s'e mbaj mend cili, qeshi me konstatimin tim, duke shtuar se kisha ardhur në një stinë e në një orë kur dielli e rrihte disi faqen jugore ku ishin frëngjitë dhe, mbi të gjitha, në një ditë me diell. Megjithatë, s kish dyshim se frengjitë i kisha përfytyruar shumë më të vogla nga ç'ishin. Ata qenë ulur në bythë mbi shtretërit e vendosur njëri pas tjetrit në një platformë dërrase të ngritur ndonja gjysmë metri mbi dysheme e të mbështetur në njërën faqe tëmurit. Fillova t'i takoja me radhë. Mbi çdo fytyrë ku më ndalonte shikimi, shfaqja habinë dhe gëzimin që po piqesha me të njohur. Ishin thuajse të gjithë ish-të burgosur të Spaçit.