Revista PERPJEKJA

Ndodheni këtu: Faqja kryesore
E Dielë, 26 Sht 2021
E Mërkurë, 12 Tetor 2011 17:11

Poezi nga Robert Deznos


Sot shëtita ...


Sot shëtita me shokun tim
Edhe pse ai tashmë ka vdekur.
Sa të bukura ishin pemët e lulëzuara
Dhe gështenjat që zbardhnin nga bora
Ditën e vdekjes së tij.
Me shokun tim shëtita...
Dikur prindërit e mij
Shkonin vetëm në varrime

Dhe vetja më dukej i vogël.
Por tashmë unë njoh jo pak të vdekur,
Shumë varrmihës kam parë
Por kurrë s kamshkuar në duart e tyre.
Ja pse, tamam sot
Unë shëtita me mikun tim.
Disi i mplakur iu duka.
Po, pak i mplakur, ndërsa ai më tha:
Edhe ti do të vish atje ku jam unë
një të djelë ose një të shtunë.
Vështroja kështu pemët e lulëzuara
Dhe lumin që shkonte nën urë
kur papritmas u gjeta i vetmuar.
Atëhere u ktheva midis të gjallëve ...


Kuplet për rrugën Banjole

 


Dielli i rrugës Banjole
Nuk është si diejt e tjerë,
Ai lahet në përrua
Dhe krihet me një kovë
Njëlloj si të tjerët,
Por kur përkëdhel supet e mija
Është tamam ai dhe askush tjetër
Dielli i rrugës Banjole
Që nget makinën e vet
Veç në portat e pallateve.
Është një diell as i bukur, as i shëmtuar,
Sa i çuditshëm aq dhe i gëzuar
Ky dell i rrugëve Banjole,
Diell dimri e pranvere,
dielli i rrugës Banjole
Nuk është si diejt e tjerë.


Askush tjetër më, veç teje


Me gjithë kundërshtimin e yjeve dhe të vetmisë
Askush tjetër s do të jetë më, veç teje,
Në kundërshtim me drurët që priten kur bije nata
Askush tjetër më, veç teje, nuk do ta bëjë atë udhë që është udha
ime,
Sa më shum ti largohesh, aq më shumë hija tënde zmadhohet,
Askush tjetër nuk do ta përshëndesë detin në agim, veç teje,
Kur unë të dal nga pyjet e errta dhe kaçubet me hithra,
E i lodhur të endem duke shkuar drejt shkumës,
Askush tjetër nuk do ta vendosë dorën mbi ballin dhe sytë e mij,
Ti e di, un nuk e pranoj gënjshtrën dhe tradhëtinë,
Kësaj anijeje që ka hedhur spirancën, veç ti mund t ia këpusësh
litarin,
Shqiponja e burgosur në kafaz i bren ngadalë hekurat prej bakri të
helmuar,
Çfarë evazioni, ikje drejt lirisë!
Është e djelë, me këngë bilbilash dhe të gjelbërtën e ngrohtë të
pyjeve,
Vogëlushët trishtohen para kafazit ku përpiqet një kanarinë,
Ndërkohë që djelli në rrugën e vetmuar
Zhvendos kufirin e hijes së tij mbi trotuarin e nxehtë,
Ne kapërcejmë kufij të tjerë.
Kurrë askush tjetër veç teje,
Dhe unë i vetëm, vetëm, vetëm, si një sharmashek i venitur në
kopshtet e periferisë,
I vetëm si një gastare
Dhe ti... askush tjetër më, veç teje.


Nesër


Edhe njëqindmijë vjeç të jem, do të kem ende forcë
Të të pres, o Ditë e nesërme, parandjerë nga Shpresa,
Koha, kjo plakë e vuajtur nga shumë plagë, mund të rënkojë
por mëngjesi është i ri, dhe e re do të jetë mbrëmja.
Që prej shumë muajsh ne jetojmë në përgjim
përgjojmë, ruajmë dritën e zjarrin,
Flasim me zë të ulët dhe zgjasim veshët
për zhurmën më të vogël që shpejt shuhet e humbet.
Tashmë nga thellësia e natës ne dëshmojmë ende
Për shkëlqimin e ditës dhe për gjthçka ajo do të na dhurojë,
Nëse ne nuk flemë, do të thotë se përgjojmë të pikasim agimin,
I cili do të provojë se më së fundi ne ende po jetojmë.


Letër dërguar Jukit nga kampi


E dashur

Vuajtja jonë do të ishte e padurueshmenëse nuk do të mund ta konsideronim atë si një sëmundje kalimtare dhe sentimentale. Takimi ynë i pritmë do ta zbukurojë jetën tonë, të paktën për 30 vjet të tjera. Për sa më përket mua, unë do të mar një gllënjkë rinie dhe do të vij tek ty i mbushur me dashuri dhe forcë.

Datlindja ime këtu ishte një rast për të të kujtuar gjatë. A do të vijë në kohë kjo letër për ditlindjen tënde? Do të doja të të ofroja njëqindmijë cigare të verdha, 12 fustane të qepur nga rrobaqepësit më të mirë, apartamentim tim në rrugën e Senës, një veturë, shtëpinë e vogël në pyllin e Kompienjes, atë tjetrën në Belle-Isle dhe një tufë lulesh 4 qindarkëshe. Bliji gjithnjë lulet në mungesën time, do t'i paguaj unë. Për të tjerat të premtoj më vonë.

Por para së gjithash pij një shishe verë të mirë dhe mendo për mua. Besoj se miqtë tanë nuk të kanë lënë këto kohë. I falenderoj për devotshmërinë dhe kurajon... Ç'bëhet me shtypjen e librave të mij? Në kokë kam shumë ide poezish e romanesh. Më vjen keq që s'jam në liri dhe s'kam kohë t'i shkruaj. Megjithatë ti mund t'i thuash Gallimard-it që fill tri muaj sapo të kthehem, do të ketë dorëshkrimin e një romani
dashurije të një zhanri krejt të ri.

Sot mora katër leta. Falenderoi miqtë dhe kërkoju falje që nuk mund t'u përgjigjem. Këtu kam të drejtë të shkruaj veç një letër në muaj. Nga dora tënde s'kam marrë ende gjë, por ata m'i sjellin lajmet për ty. Dhe besoj në të ardhmen. Shpresoj se kjo letër është jeta jonë e ardhme. E dashur, të puth aq me zjarr sa e lejon kjo letër që kalon përmes çenzurës. Njmijë të puthura.

Robert


Kënga e fundit


Këm ëndërruar kaq shum për ty
kaq shumë kam ecur, kaq shumë kam folur
kash shumë e kam dashuruar hijen tënde,
Sa që s më mbetet gjë tjetër nga ty,
Veç të jem hije midis hijesh
Të jem njëqind herë më shumë hije se hija,
Të jem hija që do të vijë e rivijë
Në jetën tënde me diell ...


Shqipëroi Luan Rama