Revista PERPJEKJA

Ndodheni këtu: Faqja kryesore
E Shtunë, 23 Tet 2021
E Mërkurë, 12 Tetor 2011 17:38

Këndvështrim i ri mbi historinë e hershme të shqiptarëve

Besoj se nuk ka shqiptar, që të mos jetë i bindur se populli i tij jeton qysh në kohë të hershme mbi truallin, ku ai jeton edhe sot dhe se paraardhësit e shqiptarëve të sotshëm janë po ata ilirë, që dëshmohen në Shqipërinë antike të veriut. Ata

formonin në shekullin e dytë para Krishtit një lidhje të fuqishme fisesh të cilën romakët e njohën në Arbanon dhe që e përfshine në Perandorinë e tyre në dy etapa a) në vitin 168 para Krishtit dhe b) në vitin 68 para Krishtit. Përgjatë një errësire të gjatë faktesh, kur dukej sikur këto fise nuk luanin më shumë se rolin e rëndomtë të njërës prej provincave të shumta të Perandorisë, pikërisht në këtë kohë ata duhet të jenë rishfaqur në mesin e mijëvjeçarit të parë me emrin arvanitas. Trupat arvanitase siç mësohet nga burime bizantine kanë luftuar në radhët e ushtrive të Perandorisë së Lindjes. Shumë pak studiues, sidomos gjermanë, në fund të shekullit të kaluar dhe në dhjetvjeçarët e parë të këtij shekulli kanë sinjalizuar dyshimet e tyre kundrejt kësaj pikëpamjeje në dukje të thjeshtë dhe të pranueshme. Mua më duket se ndërkaq, nuk ka pasur studiues shqiptar, që të ketë kundërshtuar tezën e kontinuitetit iliro-shqiptar. Edhe në enciklopeditë e botës, nga ku mund të merret informacion i shpejtë mbi mendimin mbisundues shkencor, nuk vihet në dyshim fakti se në tokën shqiptare, që prej një periudhe tepër të hershme, banojnë vazhdimisht shqiptarë.