Revista PERPJEKJA

Ndodheni këtu: Faqja kryesore
E Dielë, 05 Dhj 2021
E Mërkurë, 12 Tetor 2011 17:41

Zogu, Noli dhe fatet e një qeverie Shqiptare

Siç dihet, pas 7 prillit 1939 mbreti Zog së bashku me rrethin më të ngushtë të familjarëve dhe të bashkëpunëtorëve të tij u largua nga vendi fillimisht në Greqi e Turqi për t'u vendosur më vonë, gjatë tërë periudhës së luftës, në Londër. Arsyeja e

zgjedhjes së Londrës ishte thjesht një arsye politike. Zogu, si të gjithë monarkët e shfronësuar me forcë nga konflikti i dytë botëror, nuk hoqi dorë nga pretendimet e tij si përfaqësues legal i popullit shqiptar. Ai do të përpiqej me të gjitha mënyrat që të mos konsiderohej si një kartë e djegur por, përkundrazi, të tregohej sa më aktiv në organizimin e shqiptarëve në mërgim. Dhe vendimë i përshtatshëm, për t i bërë këto përpjekje sa më të dukshme e për të tërhequr vëmëndjen e politikës së fuqive aleate, pa dyshim ishte Londra ku kishin gjetur strehë edhe mbretërit e disa vendeve evropiane si Greqia, Jugosllavia, Çekosllovakia, Polonia, të cilët kishin organizuar qeveritë e tyre në mërgim. Shembullin e tyre donte ta ndiqte edhe Zogu. Vitet e qëndrimit të tij në Londër janë vitet e përpjekjeve për të organizuar një qeveri shqiptare nëmërgim. Por edhe në këtë rast, si për të vërtetuar faktin se problemet shqiptare sa herë që ballafaqohen me politikën europiane pësojnë një fat të palakmueshëm, çështja e kësaj qeverie do të haste në pengesa e ndërlikime. Deri tani, në studimet historike, ky problem është trajtuar duke e bazuar në dokumenta të gjetura në kanceleritë e huaja dhe kryesisht ato angleze. Materiali që po paraqisim e sheh këtë çështje nga një këndvështrim tjetër. Ai mbështetet në dokumente të gjetura në fondin e korrespondencës së Fan Nolit, që bëjnë fjalë pikërisht për përpjekjet e qarqeve shqiptare në mërgim për të organizuar bashkimin e tërë shqiptarëve rreth një përfaqësie të vetme.