Revista PERPJEKJA

Ndodheni këtu: Faqja kryesore
E Mërkurë, 20 Tet 2021
E Hënë, 17 Tetor 2011 09:55

Vendosja e marëdhënieve diplomatike Shqipëri - SHBA

Gati 75 vjet më parë, më 28 korrik 1922, u vendosën marrëdhëniet diplomatike midis një vendi të madh përtej oqeanit, SHBA, dhe Shqipërisë së vogël, në jug-lindje të Evropës. Kishin kaluar kështu gati dhjetë vjet nga koha e shpalljes së

Pavarësisë e 28 Nëntorit 1912, dhe e ngritjes së shtetit të pavarur shqiptar. Nuk është një kohë aspak e gjatë po të kemi parasysh rrethanat historike tepër të vështira nëpër të cilat kaloi vendi ynë në vitet e para të shpalljes së Pavarësisë, me ndërprerjen e funksioneve të këtij shteti. Popullit shqiptar iu desh të luftonte përsëri për të ripërtërirë, me Kongresin e Lushnjës të janarit 1920, shtetin e tij të pavarur dhe të mbronte ato fitore të gjymtuara që kishte mundur të arrinte në vitet 1912-1913. Dhe ishte pikërisht qeveria e dalë nga Kongresi i Lushnjës ajo, që në mars të vitit 1920, bëri hapin e parë pranë Departamentit amerikan të shtetit për njohjen e Shqipërisë nga SHBA. Qeveritë e mëparshme të Shqipërisë, as ato të viteve 1912-1914 dhe as qeveria e përkohshme e Durrësit e viteve 1918-1920, nuk e kishin ndërmarrë dhe, për vete kushtet politike në të cilat ato u ngritën dhe vepruan, nuk mund të ndërmerrnin një hap të tillë. Në dy vitet e para të jetës së tij, shteti shqiptar as që arriti të konsolidohej si i tillë, ndërsa në vitet 1919-1920, territoret e shtetit shqiptar ishin në prag të copëtimit dhe Shqipëria në prag të zhdukjes nga harta e Evropës dhe e Ballkanit si shtet i pavarur sovran. Ishin Fuqitë e Mëdha fituese e Luftës së Parë Botërore ato që, traktativat e tyre në Konferencën e Paqes të Parisit të viteve të para të pasluftës, i kishin caktuar Shqipërisë një fat të tillë kaq tragjik.