Revista PERPJEKJA

You are here: Faqja kryesore
Sunday, 17 Oct 2021
Monday, 17 October 2011 11:26

Besimi në shqipe

I pari dokument i shqipes, e mirënjohura Formulë e Pagëzimit e vitit 1462, e mban shqipen e shkruar lidhur pandashëm me fenë e atëhershme të Arbërit; njëlloj sikurse Meshari i Buzukut, së bashkume Perikopenë

eUngjillit dhe Tëmbsuamen e Matrëngës, dëshmojnë se shqipja e Mesjetës së vonë shkruhej në një mjedis ku fjala e njeriut dhe fjala e Zotit bashkëjetonin. Një dukuri e tillë, kurioze në vetvete, nuk është për t'u mbingarkuar me domethënie e simbolikë, pse janë të shumta gjuhët e shkruara në Evropë e gjetiu në botë që janë pagëzuarme tekste fetare, për t'u shtrirë më pas edhe në fushën laike. E veçantë e shqipes së shkruar është se kushtet disi të favorshme të krijuara për lëvrimin e saj në kuadrin e Kundërreformës u kundërpeshuan nga uragani kulturor osman, brenda të cilit funksionet e shkrimit u ripërmasuan dhunshëm. Në Ballkanin e osmanizuar andej e tutje do të përlesheshin oraliteti osman dhe kultura skripturale e mbështetur në greqishten dhe në konceptin gjysmëmitik të Bizantit të djeshëm e të nesërm, në një kohë që Katolicizmi përthahej, shkumë e vjetër brigjeve të Adriatikut. Buzuku, Budi e Bogdani vijuan ta lëvrojnë gegërishten e tyre në libra që sot na habitin për nga plotësia dhe opaciteti; por janë vepra të rrethuara me një tis dëshpërimi, sepse i përkasin një kulture që po e gjente kyçin e mbijetesës vetëm tek venitja.