Revista PERPJEKJA

Ndodheni këtu: Faqja kryesore
E Mërkurë, 27 Tet 2021
E Hënë, 17 Tetor 2011 11:28

Kurthe të një etnografie të rrezikshme në përfytyrimin antropologjik

Studimet e specializuara fetare, të ngecura diku midis etnocentrizmit, empirizmit dhe literalizmit, sidomos në rastin e Islamit, nuk kanë sjellë ndonjë analizë të veçantë antropologjike përsa i përket pasqyrimit të

suksesshëm të realiteteve praktike dhe ideologjive politike te feve. Për më tepër, ideja e popullarizuar se grupe të caktuara etnike që kanë pasur konflikte përgjatë shekujve do të vazhdojnë luftën kundër njëri tjetrit nuk është gjë tjetër veçse një ide e ushqyer prej raportimeve të shumta të mjeteve të informacionit masiv dhe botimeve akademike, të cilat i mëshojnë natyrës historike të konfliktit, në mënyrë tepër të ngjashme psh. me idenë se Islami dhe modernizmi janë në njëfarë mënyre kundërshtare me njëra-tjetrën. Është për të ardhur keq që gjatë periudhave të pasigurisë shpjegime të tilla esencialiste mbi dallimet vazhdojnë të ruajnë një peshë të madhe. Për aq kohë sa historia do të funksionojë si ekran pas të cilit fshihen interesat e udhëheqësve politikë apo fetarë, konfliktet etnike ose kulturore do te na paraqiten të pazbërthyeshme. Ekzistojnë, gjithashtu, pikëpamjet moderne mbi shtetin-komb dhe gjithë mitologjitë e tij të institucionalizuara që kanë ngatërruar, fshirë, përdhosur dhe shembur kuptimin që kemi rreth përcaktimeve lokale dhe kategorive të identitetit të grupit të përkthyera në jetën e përditshme. Sidoqoftë, duke hulumtuar se si ndërtohen identitetet politike të grupit, duke shkoklavitur marrëdhëniet midis ankthit, kërcënimeve dhe reagimeve të identitetit në grup mund të hidhet dritë mbi mënyrat e zgjidhjes të konflikteve.