Revista PERPJEKJA

Ndodheni këtu: Faqja kryesore
E Dielë, 16 Maj 2021
E Hënë, 17 Tetor 2011 11:30

Pashallarë të kuq dhe blu: Mbi islamizimin me dhunë të armikut në diskursin publik shqiptar

Një nga gjetjet më të bujshme me të cilën na qerasin shpesh kohët e fundit fotoreporterët shqiptarë, është loja me aureolat. Sahera, faqe të para gazetash hapen me ndonjë portret kryesisht politik, i ujdisur ky në

fokus në një mënyrë të këtillë, që personazhit të fotografuar t'ia kopsisin kokën pas ndonjë objekti a shenje të rrumbullt, çfarëdo qoftë: rrethi me yjet evropianë të flamurit, stema ovale e kryeministrisë, ndonjë O apo Q kapitale nëpër banderola ceremoniale, ndonjë tollumbac festiv. Çdo objekt rrethanor rrumbullak ngarkohet me misionin e qerthullimit të kokës së personazhit me një lloj sfondi qarkor, tip kurore mbretërore apo brerore shenjtërore. Gjuha e dhunës në shtyp, më e ashpër dhe piktoreske gjatë viteve '90, tashmë që është shtruar ca, duket se ia lënë misionin e demonizimit përmes karikaturizimit artit objektiv të fotografisë. Kështu, gazetat shpesh e pikturojnë kundërshtarin politik me poza të sforcuara tipizuese, të tilla që shfrytëzojnë rastin p.sh. përgjatë ndonjë teshtime apo ndonjë kruajte vetvrasëse hunde, gjatë shqiptimit të mundimshëm të ndonjë bashkëtingëllorje, gjatë ndonjë gromësime parlamentare a pultitje rutinore të pafaj syçkash apo çdo mrrolje e tendosje tjetër të lëkurës së mimikës. Poza që në fakt duheshin hedhur në kosh nga profesionisti i ndershëm. Rrethorja që përmendëm, në të tilla raste negative nuk e rrethon më kokën politike si aureolë a kurorë: ajo bëhet thjeshtë rrethi koncentrik në dylbinë e snajperit: bëhet shënjestër ekzekutimi.