Revista PERPJEKJA

Ndodheni këtu: Faqja kryesore
E Martë, 26 Tet 2021
E Hënë, 17 Tetor 2011 20:09

Shpëtim i kombit apo një trampolinë dhe aq?

Në një nga numrat e gushtit revista Klan boton rrëfimin e Preç Zogajt për prapaskenat e marrëveshjes së 9 marsit. Siç e nënvizon edhe gazetari intervistues, pyetja nëse duhej bërë ose jo kompromisi me Berishën, me muajt e lëngatës që e

pasuan deri në ndërrimin e pushtetit, me mijërat e të vrarëve, të rrahurve, të gjymtuarve e të arratisurve, me shkatërrimin definitiv të asaj që kishte mbetur në Shqipëri i ka ndarë në dy kampe krerët e ish-opozitës. Vetë protagonisti i dialogut me Berishën pas 4 marsit, Preç Zogaj, është katërcipërisht i bindur për drejtësinë e veprimeve të veta. Në shkrim ai thotë midis të tjerash se është krenar për hapin që ka bërë, për të cilin i është dashur të durojë edhe shumë kritika e dyshime nga kolegët e tij opozitarë. Atë ditë të 4marsit Zogaj ka qenë i bindur se duheshin bindur partnerët e tij që ishte e domosdoshme të dialogohej me Berishën... atë ditë janë depozituar me dhjetëra mesazhe në sekretarinë e Presidencës: Kërkojmë takim me Berishën. Nëse ne nuk do të jepnim asnjë sinjal, atëherë Berisha do të qe i detyruar të nisej drejt aventurës, vijon Zogaj. Ai duket edhe tani krejt i palëkundur nga kritikat që i janë bërë kësaj marrëveshjeje gjatë këtyre kohëve, komenton gazetari i Klanit dhe rimerr në fund argumentin kryesor që mbështet bindjen, krenarinë, moslëkundjen e P. Zogajt për veprimet e tij: Marrëveshja na ruajti nga precedenti i largimit të kreut të shtetit me dhunë.