Revista PERPJEKJA

You are here: Faqja kryesore
Tuesday, 26 Oct 2021
Tuesday, 18 October 2011 08:43

Kafe të nxehta në portin e Durrësit

Ishte hera e tretë që do të shkelja në portin e Durrësit dhe hera e parë duke ardhur nga deti. Kisha qenë më së pari i vogël me babain dhe vëllanë për të parë vaporin e ri dymbëdhjetëmijëtonësh Vlora , kurse herën e dytë kisha kaptuar fshehurazi

me një shok të shkollës murin e lartë të portit për të zënë peshk matanë kufirit, meqë thoshin se në ujërat qark vaporëve të huaj kërciste qefulli dhe kocet si herët; në mbrëmje, kur po ktheheshim, sapo kërcyem prej murit të lartë me Maksin që mbante në dorë gjahun, një qese me ujë deti ku lëvrinte një cironkë e përlyer me naftë, na kapi policia për të na lëshuar vetëm natën vonë, si kishte marrë vesh funksionet e larta të baballarëve tanë.
Këto pak takime ma kishin lënë Portin e Durrësit në kujtesë si diçka të rëndë, të lartë sa vaporët e fëminisë, por edhe pak solemne e të zymtë si dora e shtetit që na pat mbërthyer tamam kur pandehëm se ia kishim hedhur.