Revista PERPJEKJA

Ndodheni këtu: Faqja kryesore
E Mërkurë, 08 Dhj 2021
E Mërkurë, 19 Tetor 2011 08:25

Qentë nuk angullijnë më

Qentë nuk angullijnë më, nuk lehin, nuk kuisin. Ata heshtën, u tulatën, u nemitën, u strukën, të frikësuar e të lemerisur me të dëgjuar kërcitjet e pushkëve, kërkëllitjet e automatikëve, pëlcitjet e bombave dhe granatave. Bota shqiptare u përmbys kryekrejt nga marrëzia e njerëzve.

Isha betuar me veten time se nuk do të shkruaja asgjë për këtë katrahurë e zallamahi, do të ishte më mirë të na kish goditur një tërmet i fuqishëm dhjetë ballësh e të ishim zhdukur fare nga faqja e dherit sesa të na ngjante kjo e pangjarë kurrë ndonjëherë më parë. Sot është e tetëmbëdhjeta ditë që ne këtu në Pogradec flemë e zgjohemi nën breshëri plumbash dhe asnjë lajm në radio apo gazetë a televizion nuk e përmend qytetin tim të shpërfytyruar si kurrë më parë.