Revista PERPJEKJA

You are here: Faqja kryesore
Wednesday, 27 Oct 2021
Wednesday, 19 October 2011 19:56

Skicë dhe Balladë

Skicë

ajo ishte njëherë një vajzë e bukur
pastaj një copë mishi
ku s'njihej dashuria,
dhe hartat që kishin nisur që nga krijimi i botës
kishin mbetur të papërfunduara:
vdekja, trollitej e trollepsej
e dehur rrugëve të fatit
ah korba, ç'bëra dhe ç'bëra,
ia morra shpirtin dhe jetën
vajzës që dashurova ..:
dhe rrugët e rruginat e ngushta me kalldrëm
ngjiten dhe zbresin
në zemrën
e arsenalit të
bombës
që edhe sot pas emisionit të fundit të lajmeve
e dëgjon horoskopin
nga goja e gjepurt e fluturës së natës

 


Baladë

Na ishte njëherë një vajzë e bukur, e bukur
të thuash: yll, të thuash: flutur, të thuash: përrallë ...
Na ishte njëherë një vajzë e bukur, e bukur
të thuash: diell, të thuash: flakë, të thuash: qiell ...
por thanë e kishin parë
[në emisionin e lajmeve të orës 8 (pa 20)]
me flokët e bukur [të lyer gjak]
ndoshta do t i kishte prerë shkurt, (lezeçëm), ose ndoshta
[me britmën e ngrirë dhe nofullën mavi]
do t'i kishte lidhur gërshet.
Në atë moshë vajzat i lyejnë buzët bukur
që djemtë t'i puthin, [ajo i kishte të sajat plagë]
sytë me të kaltër, si fluturat, me qerpikët e gjatë,
dhe flokët i lyejnë dhe i ngrijnë lart (me llak)
janë të gjitha të bukura
dhe ajo që kishte qenë e bukurish e bukur ... [gjak]
E dlirë
e mitur si bari i verdhë i lëndinës
i vdiq vdekjes papritur
në vrikun e trillshëm të predhës vrastare
(aty) ku bomba ndërpreu
leximin e Iliadës
ngrihet një syprinë varri,
shkollë gjëme,
akademi aksionare e krimit
Para se të vdiste thuhet tha një të vërtetë
[ndoshta kishte ende mall për të puthurat e para]
Jeta është e bukur (dhe) . . .
[gjithë të vërtetat nuk transmetohen në lajmet e orës 8 (pa 20)]
dhe vdekja është (nga stofë) e gënjeshtërt ...

More in this category: « Kompromisi Tirana »