Revista PERPJEKJA

You are here: Faqja kryesore
Wednesday, 27 Oct 2021
Wednesday, 19 October 2011 19:58

Tirana

Mini (mono) dramë.


Ky është një reportazh. Disa fjalë mungojnë.
Ka shumë zhurmë makinash. nuk dëgjohet mirë.
Personazhet:
F: Një djalë i ri njëzetëepesë njëzetëegjashtë vjeçar flokëshkurtër,
zeshkan, veshur thjesht gjëndet në bulevardin Dëshmorët e Kombit të Tiranës.
Në dorë mban një granatë. Si dhe një sërë personazhesh të tjerë.
F: Tirana ime e marrë, e rrethuar, më ke lënë larg e di
një monument i artë aty është thërmuar nga sy
( i hollë, i burgosur.)

Tirana ime. Kush je ti pas perçes së zezë?
Pse s flet. Pse më sheh shtrëmbër me sytë e tu dinakë. Ç ke?
Tirana ime Trojë - më fal. Unë jam gjallë..
Mozaikët nën Kroin e Shëngjinit janë kthyer në dhëmbë
në një unazë hunde me kurriz, Petrelë e vjedhur,
të lutem ngrihu lart
njeri i mjerë, më i zi se unë
hiqe perçen të të shoh,
Thehu frikë balte e çjerrë
Mos më vrit të sëmurë...
...s di, hajde pra këtu, kaloje urën e Brrarit, fshihu në Tirkan
unë do të të gjej kudo...kërmë e gjatë
Shi i zbehtë nëntori,
Tiranë në gjak
s do
kafe
do një shpatë, një Benc 92 shi
përsëri shi,
vetëm shi, pafund
Ceni ka humbur rrugën në mjergull
këmba e thyer copë-copë
atje në Tiranë
në Trojën e gjallë të shekullit tonë
Trojanët marrin hak në Tiranën time...
askund
Sulejman pashë Bargjini, Ethem Beu, Kapllan pasha,
janë varur në Urën e Tabakëve me dhé
varrosur në djepin tim
vërtiten si fantazma në gjuhë
në shekullin 21.
Tirana e tiranëve të zinj
sa herë e shoh në sy më gënjen
e dashuruar pas një tjetri më tradhëton
unë bëj e ç bëj
qaj, shaj, qij
ndërgjegjen, vetëdijen,
trupin e shtrirë pa jetë
në rrugën e Kavajës ku kalojnë
vetëm pederastë trima
që më vjedhin xhepat gjithnjë
me gjithë fjalët e lamtumirave për ty
të cilat kontrabandë i kthejnë në pashaporta.
Tiranë, ç i bëre fjalët që më the dhe mi dhe
është hapur si varr vetmia jote prej fanari
për herë të parë e para.
Vetëm në fatkeqësi
Ushtari i panjohur i vrarë
bisedon me Gjergj Kastriotin
Unë e kam emrin Skënderbe i thotë i panjohuri
e tjetri beson gjithshka që i thotë një tjetër
në një vënd që s e njeh.......kurse unë s kam me kë të flas
asnjë
bën ftohtë këtë natë.
Njerëzit për t u ngrohur
kanë djegur minatorët e Valiasit në vënd të qymyrit të tyre.
Vasil Laçi vetëm më ulëret,
s e marr vesh ç më thotë
mbase nuk e ka me mua,
mbase e ka me gjakun e tretur të Emanuelit të tretë
të kthyer sot në helmin tim,
që ma hedh duke më buzëqeshur në ponç
monumenti Nënë Shqipëri pa kokë,
tek kafe Flora.
Një kryengritje ka nisur në trurin tim, e helmi ma vret.
Është i ëmbël, bie erë Itali
e di se do të vish helm,
ngadalë ngadalë,
por kam fituar imunitet
se kam një monument të thyer për jetë
jetë që deri diku e zgjodha vetë.
Por Tirana ime as që do tia dijë
më dëgjon sa për mirësjellje,
një mirësjellje të zbehur në diell me djersë
që s ka të bëjë fare me Qemal Stafën e fyer,
Vojo Kushin e thyer,
Flasin me njëri-tjetrin gegënisht,
kënaqen në hije të dy,
të bërë vëllezër me zor,
VFLP në ballë, tatuazhe yjesh në cica,
por Tirana bën sikur nuk i sheh,
një autobombë.... thyen gjithçka.
Tirana barrikadë.
Tirana e thyer.
Xhamia përtokë në 17 Nëntor.
F: Kola është bota.
Lexon me zë të lartë të shkruarën në një pallat përballë.
Fëmijë sillen vërdallë.
Tiranë e rrahur,
e hedhur në rrjetë,
copa-copa
si një top,
si një gur i thyer....
F: Lule zjarri, mimoza mos harroni veten!
Teatri i Kukullave, Cirku, kanë hapur një rrugë të nëndheshme nën shatërvan, nën
muzeun historik të mbetur me komplekse si të gjithë ish anëtarët e partisë që ishin
e do të jenë, që u bënë e vazhdojnë të bëhen sot, e enden ata këtu, pra mes Cirkut
e një teatri kukullash dhe kërkojnë rrobat e tyre në histeri si në ditën e parë të
zborit të heshtur. Bardh e blu, si batalioni i kolonelit Z .Më i mënçuri e ka
gjetur sigurisht fustanin e tij, ia ka qepur Mine Peza dhe nënë Tereza e dashuruar
pas veprave të tij, kurse unë rri atje, shoh gjithë njerëzit në sy, asnjë s më beson,
as pesëmbëdhjetëkatëshi as hotel Dajti as nëna as babai im. As ti Tiranë e gërryer
nga uria si zorrët e mia sot këtë nëntor të dhjerë plot njerëzillëk, plot frymë
revolucionare të kthyer në para me përqindje si lotët e njerëzve me rastin e
vdekjes së Enver Hoxhës në Tiranë, që sa vinin e shtoheshin pa e ditur askush nga
ku.
Ky qytet i verdhë,
gri,
që unë qaj e mundohem ta shaj,
po ndahem prej tij, një divorc normal.
S më ka dashur kurrë, s e kam dashur asnjëherë.
Ku e di unë a është e vërtetë,
Po pse kështu? Pse?
Pse s na prite edhe ne,
brezin tim por na e preve fjalën në grykë sa filluam të flasim në vitin nëntëdhjetë?
Ku shkon Tiranë?
Pse s do të më dëgjosh, çfarë të kam bërë?
Tani biles kam harruar çkam dashur të të them. Nuk di a do të thoja çkisha për të
të thënë ty apo çfarë ti kishe për të më thënë mua.
Sigurisht, jemi ndarë përfundimisht,
ti
Tiranë kurvë,
që s më dëgjon por që nuk mund të të hedh dot matanë.
Do belbëzoj deri në fund, vetëm për inat. Po të duash më vrit, ma këput kokën,
më shtyp me makinë, më rrip të gjallë, më mbyt në Lanë, në liqen, por për të
shitur nuk më shet dot sado i lirë të jem.
Dua të flas gjatë me gjuhën e ndryshkur të autokombajnave,
të lopëve të ndërruara për një manjetofon 100 Watt.
Ma ha mutin të të them, të të dëboj, si Lokja, të të rrah, të të vras edhe unë ty,
por ti më bën të nis të qaj më bën të nis të qesh.
Më duket se akoma flas me gjuhën tënde sot, nuk e di në je ti unë apo unë ti,
dikush nga ne imiton vetveten ose njëri tjetrin, të dy kemi nga një bombë në
dorë... Tiranë, a më njeh, me hundë me qyrre, a do të më njohësh kur të vij me një
çelës në qafë apo jo. Të zotin, të pazotin, pronarin, skllavin a e njeh, Institutin e
shtypur nga një këmbë vigani, Universitetin e humbur, a i njeh më?
Po mua a më njeh qyteti i studentëve, a më njeh ndonjë vitrinë tek Shqipëria Sot?
Jam i qelbur tani, më janë errur sytë, sigurisht që vetë kam faj, sigurisht. Treni i
parkut të lojrave është shkrirë, këtu brenda meje, brenda teje, është kthyer në
varrezë ëndrrash fëmijërie, ka hipur vetë mbi ndërtesat në bulevard, i kthyer në
mitraloz, me shënjestër në shpirtin, në vetë ëndrrat e mia dhe më pret të dal
hapur, të më qëllojë, e sot s ma zgjat, më qëllon vërtet, jo si dikur kur vetëm
përpiqej të më trembte, se është veshur bukur tani , i është rritur mëndja, se ka
dalë edhe në televizor...
Unë edhe kam edhe s kam frikë, nga ty jo, por kam frikë nga perçja jote e zezë që
të ndihmon të takosh dashnorët dhe fshehurazi të bësh plane, të ma hedhësh prapa
krahëve, pastaj të vish të më puthësh në gojë, të mundohesh të më presësh gjuhën,
gjysmat e fjalëve të m'i ngatërrosh, fjalët e mia me fjalët e të tjerëve me fjalët e
tua që bien erë të vjellë, që shpërndahen deri në morg, në maternitet...
Një fëmijë shkruan - Kola është bota - me shkumës tek porta e qytetit...
Mundohem të pajtohem me ty, zot i parajsës sime, të më lësh të hyj, të paktën sa
për të futur kokën,
të shoh se ç bëhet brënda, (sigurisht me kujdes)
pa biletë...
por ti më hedh jashtë,
m hyn m grushta, m del m shkelma, një natë pas martese...
...ti vazhdon të zhvirgjërohesh çdo natë martese që martohesh...
Dhe kjo që duhet të ishte një vjershë e shkurtër dashurie, vazhdon
pa u ndalur, si unë kur flas me ty...
në pallatin e kulturës
analfabet
Por Tirana vazhdon të thyhet sa herë që unë e shoh,
dua të shoh zjarr,
tym,
KAOS,
përsëri në zemër të saj
që mundem të filloj nga fillimi gjithshka,
veten time dhe rrugët gropa gropa...amfiteatrin nga liqeni t a ktheja në diell, gjirin
e kurvave në pleh
.....Ti Trojë e gjallë, me Eneun modern të idealizuar në një shtet të ri nga braktisja
fashist
.....jam edhe unë me shokët e mi të vrarë..
....Qyteti im i djegur, i tharë, i farosur, i gjallë që gulçon, krenar.
Tiranë në dashurinë tonë fshiheshin gjithë të zezat e botës (gjithë bloza e Trojës),
Tani që dashuria ka shterur, kanë dalë ato në shesh, mes fytyrash të lumtura
idiotësh
(të çakërdisur nga bloza siç çakërdiseshin dikur nga bora)
të ngopur nga bishta cigaresh pa frymë.
Prandaj në qofsha gjallë, si një jezuit do të vij me një kryqëzatë,
do të djeg,
të flesh me motrën Trojë
sinqerisht
Tiranë. E vjellë.
Por këto janë kot, se i kupton të gjitha ti, vetëm kur më sheh në sy...
Kjo ndarje po merr fund...
Kola po bën edhe një gol tjetër me kokë, këtu në librin e historisë tënde,
në prehërin tim,
të mbetur hapur përmes
një gol të madh. Kola është bota vërtet, ashtu si Tirona
e ngopur me Coca-Cola
që pjerdh në bulevardin e bërë gropë, ku unë duke qeshur me ty, me veten, kam
vdekur,
i vrarë nga një plumb i veshur me baltë prej një ndërtese diku, po atje në
bulevard.
...Kur të vdes
do të ngjallem përsëri dhe qielli do të skuqet si sytë e të dehurit.
Do të ngrihen 100 djaj nga toka, do t hanë zëmrën tënde
ngadalë, ngadalë...
....Bie i vdekur në rrugë vllam me një djalosh me granatë në dorë që nuk di të
flasë.
Unë jam ai. Ai është unë.
Këto nuk janë gjë tjetër veç fjalë,
plumbat i ke ti në dorë, dhe në ballë.
Kaos, kaos, kaos
vetëm për një çast.
Edhe një perçe tjetër fillon të vishet sot mbi Tiranë.