Revista PERPJEKJA

Ndodheni këtu: Faqja kryesore
E Mërkurë, 20 Tet 2021
E Mërkurë, 19 Tetor 2011 20:18

Transformimi i imazhit të Tiranës. Përsëri në kërkim të identitetit të saj

Shqipëria dhe kryeqyteti i saj Tirana, gjatë 7 vjetëve të fundit janë kthyer në arena të ndeshjeve të mëdha politike dhe të një dinamike sociale veçanërisht interesante. Transformimet e mëdha ekonomike, politike institucionale e shoqërore, ndryshimi i

sistemit si në të gjitha vendet e Europës Qëndrore dhe Lindore, kalimi nga ekonomia e centralizuar në ekonominë e tregut, nga diktatura drejt demokracisë parlamentare, po shoqërohen me një kosto shoqërore veçanërisht të lartë. Marrëdhëniet ndërmjet strukturës sociale, kulturës me sens të gjërë dhe psikologjisë apo personalitetit të individit është vështirë të kapen bile dhe në shoqëri të stabilizuara ku historia një kohë të gjatë mund të lerë gjurmë, por influenca e tyre ndjehet edhe ne fenomenin urban.
Në prag të 1991 tiranasit aspironin më shumë se kurrë demokracinë, lirinë, sigurinë, mirëqënien, ekonominë e tregut pa u preokupuar shumë për mekanizmat e tregut. Në realitet ata fituan institucionet e rëndësishme të tregut dhe demokracisë parlamentare: pronën, partitë politike, shtypin etj., por tranzicioni provoi shumë efekte të padëshiruara si varfëria, papunësia, polarizimi, të cilat u shoqëruan me pasione violente politike, intolerancë, urrejtje, mohim të kundërshtarit dhe periudhave historike e subjektivizëm në vlerësimet, nisur nga interesa politike.