Revista PERPJEKJA

Ndodheni këtu: Faqja kryesore
E Mërkurë, 27 Tet 2021
E Mërkurë, 19 Tetor 2011 20:21

Heroina e dashurisë

Personalitete të mëdha të shekullit 19 e kanë quajtur shekullin tonë si një të ardhme ku, falë përparimit të jashtëzakonshëm në fusha të ndryshme të veprimtarisë njerëzore, arsyeja do të triumfonte mbi paragjykimet. Në shumë drejtime ata kishin të

drejtë. Që një grua të arrinte një njohje e vlerësim ndërkombëtar siç është rasti i nënë Terezës, kjo mund të ndodhte vetëm në shekullin tonë, falë natyrisht edhe përparësive të komunikacionit që ofron koha jonë Por shpjegimi i admirimit, emocionit, frymëzimit që ngjall një figurë e tillë qëndron gjetkë.
Shekulli 20 ka shënuar përparime, zbulime, zhvillime të hatashme në shkencat, teknologji, në mendimin njerëzor. Falë këtyre arritjeve jeta e njeriut është bërë më e gjatë dhe më e lehtë materialisht. Shoqëria e konsumit e shtyn njeriun të priret për të arritur me çdo kusht e sa më shpejt mirëqenien e lumturinë personale. Të gjithë lakmojnë të jetojnë mes rregullit, pastertise, shëndetit, të jenë të rrethuar me gjëra të bukura, të shijojnë përparësitë materiale e intelektuale të kohës sonë. Dhe ja ku del një grua e thjeshtë dhe i le mënjanë të gjitha këto e, duke iu përgjigjur thirrjes së idealit të saj, zgjedh përkundrazi të jetojë mes varfërisë më të skajshme, mes sëmundjeve e fatkeqësive, erërave mbytëse të plagëve, lodhjes deri në rraskapitje, jetës plot mungesa, vetëm një hap larg vdekjes, dhe kjo zgjedhje e saj ka vlerën e një revolucioni.