Revista PERPJEKJA

Ndodheni këtu: Faqja kryesore
E Martë, 15 Qsh 2021
E Shtunë, 22 Tetor 2011 19:42

Letër nga viti 1920

Mars 1920. Stacioni hekurudhor Slavonski Brod. Kishte kaluar mesnata. Prej diku po frynte një erë, që udhëtarëve të kapitur e të përgjumur u dukej më e ftohtë nga sa ishte. Yjet atje lart shkisnin mes reve. Tutje

dritat e verdha e të kuqe të sinjaleve zhvendoseshin herë më shpejt herë më ngadalë përgjatë shinave të padukshme shoqëruara nga tingulli i mprehtë i bilbilit të konduktorit dhe me kuisjen e zgjatur të lokomotivës, që ne udhëtarët i mvishnim zymtinë e lodhjes dhe mërzinë e pritjes sonë të gjatë e durimhumbur.
Para stacionit, ndanë shinës së parë, rrinim ulur mbi valixhet dhe prisnim trenin. Nuk e dinim se kur do të vinte, e kur do të nisej. Dinim vetëm që do të ishte plot e përplotë me udhëtarë e bagazhe. Burri i ulur pranë meje ishte një shok i vjetër që ia kisha humbur gjurmët këto pesë-gjashtë vitet e fundit. Maks Levenfeld, mjek dhe i biri i një mjeku. Kishte lindur e ishte rritur në Sarajevo, ku kishte krijuar një klientelë të madhe. Ishte çifut nga prejardhja, dhe i kthyer në fenë e krishtere shumë kohë më parë. E ëma kishte lindur në Trieste, bijë e një baroneshe italiane dhe e një oficeri marine austriak, pasardhës emigrantësh francezë. Në Sarajevo mbahej mend prej dy brezash, për pamjen e saj, qëndrimin dhe mënyrën elegante të veshjes. Ishte e shënjuar me një lloj bukurie që respektohej e çmohej nga njerëzit, që, përndryshe ishin mjaft të pacipë e të vrazhdë.