Revista PERPJEKJA

Ndodheni këtu: Faqja kryesore
E Dielë, 26 Sht 2021
E Shtunë, 22 Tetor 2011 19:49

Konceptet e diplomacisë britanike dhe amerikane ndaj pavaresisë së Shqipërisë gjatë Luftës II Botërore

Gjatë Luftës së II Botërore, britanikët ishin të interesuar të nxisnin qëndresën e popullit shqiptar kundër pushtuesve, por kjo prirje ndeshte në kufizime që vinin nga përllogaritja e interesave të tyre në rajon. Në

Foreign Office arritën shpejt në përfundimin se, qoftë statusi i Shqipërisë, qoftë kufijtë e saj, mund të ishin objekt shqyrtimi në Konferencën e Paqes pas mbarimit të luftës. Peshën kryesore në këtë qëndrim e kishin pretendimet territoriale greke dhe ndjeshmëria e Foreign Office ndaj tyre. Ky bosht i politikës britanike do të qëndronte i palëvizshëm gjatë gjithë periudhës së luftës dhe do të përcaktonte shumë qëndrime politike të Londrës në këtë periudhë. Gjithashtu ai do të ndikonte dukshëm edhe pas luftës, deri në përfundimin e Konferencës së Paqes. Këto koncepte penguan mbështetjen britanike për qëndresën antiitaliane të kombit shqiptar. Deri në prillin e vitit 1940, Britania nuk dëshironte ta përkrahte seriozisht qëndresën kundër italianëve, pasi ajo po përpiqej ta mbante Italinë në një pozicion asnjëanës. Por edhe gjatë verës së vitit 1940, Foreign Office kundërshtoi angazhimin e A. Zogut në planet e rezistencës.