Revista PERPJEKJA

Ndodheni këtu: Faqja kryesore
E Dielë, 17 Tet 2021
E Shtunë, 22 Tetor 2011 22:13

Të mbi-interpretosh tekstet

Tek Interpretimi dhe historia, u mora me një metodë interpretimi të botës dhe teksteve, bazuar mbi personalizimin e marrëdhënieve të simpatisë, të cilat lidhin, reciprokisht, mikrokozmosin dhe makrokozmosin.

Si metafizika, ashtu edhe fizika e simpatisë universale, duhet të themelohen mbi një semiotikë (ekspicite, ose implicite) të ngjashmërisë. Tek Fjalët dhe sendet, edhe Michel Foucault është marrë me këtë paradigmë të ngjashmërisë, duke u interesuar, më së shumti, për atë çast kalese mes rilindjes dhe shekullit XVII, në të cilin gjendet edhe tretja e paradigmës së ngjashmërisë në atë të shkencës moderne. Hipoteza ime është historikisht më e gjerë dhe synon të nxjerrë në dritë një kriter interpretues (të cilin e quaj semiozë hermetike), mbijetesa e të cilit mund të gjurmohet përmes shekujsh. Për të pohuar se i ngjashmi vepron mbi të ngjashmin, semioza hermetike, duhet të përcaktonte se çfarë ishte ngjashmëria. Por kriteri i saj, sa i takon kësaj të fundit, do të shfaqej si i përgjithshëm dhe i eptueshëm, skajshmërisht zemërbutë. Ai nuk përfshinte vetëm ato fenomene, që sot i katalogojmë nën etiktën e ngjashmërisë morfologjike, ose analogjike, të përmasave, por çdo lloj zëvendësimi, që mundësohej nga tradita retorike, le të themi afërsia, pars pro tot, veprimi për vepruesin dhe kështu me rradhë.