Revista PERPJEKJA

Ndodheni këtu: Faqja kryesore
E Dielë, 05 Dhj 2021
E Shtunë, 22 Tetor 2011 22:24

Kurajua dhe tmerri i vdekjes (sytë me dhè)

Në vitin 1979 u ridënova bashkë me dhjetë të burgosur të tjerë, si pjesëtar në një organizatë kundërrevolucionare, duke mu shtuar edhe 16 vjet burg të tjera dhe, pas një odiseje birucash ndëshkimore, u

transferova nga kampi burg i Spaçit në kampin burg të Ballshit. Atje më caktuan në barrakën numër 9, që i thoshin ndryshe kapanoni i pleqve, sepse kishte shumë të moshuar. Në shtratin ngjitur me timin, nga ana e djathtë, më ra për komshi një burrë i vjetër, i shëndoshë, por trupngjeshur, i cili, kur u prezantuam, më tha se quhej Frano Ilia. Pastaj shkëmbyem informacionin që shkëmbehej zakonisht midis dy të burgosurish që takoheshin për herë të parë: sa ishte dënuar dhe vitet e burgut që kishte kryer sejcili. Frano më tha se ishte dënuar 25 vjet burg dhe se i kishin mbetur edhe afro pesëmbëdhjetë. Kur e pyeta pse ishte dënuar më tha se ishte prift katolik, se ishte dënuar si agjent i Vatikanit, dhe se e kishin dënuar me vdekje, por pastaj ia kishin kthyer në 25 vjet.