Revista PERPJEKJA

Ndodheni këtu: Faqja kryesore
E Mërkurë, 08 Dhj 2021
E Shtunë, 22 Tetor 2011 22:36

Përdhunimi

Nata depërtoi thellë në mendjen time e u përhap ngadalë në trupin tim, i cili rënkonte mes çarçafëve të bardha. Frymëmarrja po bëhej gjithmonë e më e vështirë, zemra po shtonte rrahjet, ndërkohë që djerse të

ftohta lagnin trupin dhe mendjen që ishte shumë larg tij. Papritmas u gjenda diku, nuk e njihja atë vend, thjesht isha e tmerruar nga pamja që kisha përpara syve. Shihja drurë të lidhur me litarë në formën e kryqit, drurë që vihen mbi kokat e njerëzve kur janë të vdekur.Në atë vend të shkretë ku toka ishte e përbaltur këto drurë të gjakosur tërhiqnin zvarrë trupat e dy njerëzve gjysmë të vdekur. Hidhja hapat e frikësuar pa e ditur nga po shkoja, frymëmarrja bëhej gjithmonë e më e vështirë. Meshkuj, të cilëve nuk arrija t'u shquaja fytyrat, me trupat e tyre gjysëm lakuriq, me leshra të gjatë të pakrehur, ngulën fort në kokat e këtyre trupave pa jetë drurët kryq që më pas mundoheshin t'i depërtonin thellë në tokë. Isha e tmerruar. Nuk e kuptoja pse gjendesha aty, këmbët nuk më bënin të largohesha nga frika që më kishte mbërthyer, qëndroja e shtangur. Doja të klithja, të ulërija, t'ia mbathja me të katra, por e pamundur, frika më kishte gozhduar në vend.