Revista PERPJEKJA

Ndodheni këtu: Faqja kryesore
E Mërkurë, 27 Tet 2021
E Hënë, 24 Tetor 2011 08:00

Si na shohin

Si na shohin është një nga rubrikat e hershme të Përpjekjes, ideja e çeljes së të cilës ka lindur në një kohë e në koherencë me tërë frymën kritike që e përshkon Përpjekjen qysh nga numri i parë deri tek i fundit.

Përzgjedhja e materialeve ka synuar të sjellë këndvështrime të autorëve të huaj mbi ne, por edhe të sjellë autorë që trajtojnë çështje të panjohura ose të njohura ndryshe nga ne, që mund të provokonin edhe debat, duke na thelluar njohjen tek e fundit. Njohja nëpërmjet vështrimit, gjykimit e vlerësimit që kanë të tjerët për ne është një nga dimensionet e rëndësishme të ndërgjegjësimit të vetvetes.

Syri i tjetrit është një vështrim nga jashtë i asaj që ne e shohim vetëm së brendshmi, është një sistem tjetër vlerash me të cilin ballafaqohemi, është një vështrim që shpesh na befason me atë se ku e mbërthen shikimin i huaji, - shpesh në ato gjëra që ne i kalojmë përditë pa i vënë re. Vështrimi i tjetrit hedh mbi gjërat që ne i shohim përditë një tjetër dritë duke na i rizbuluar ato.

Vështrimi i tjetrit nuk se është më shumë apo më pak vërtetthënës se i yni. Tjetri zbulon të vërtetën e tij në kontekstin e tij teksa na vështron. Tjetri, po ashtu, nuk është një i vetëm, tjetri janë shumë që mund të kenë diferencat e tyre të ndjeshmërisë, të interesave teksa na vështrojnë e gjykojnë. Tjetri mund të ketë stereotipet e tij, gjithashtu, në leximin e realitetit tonë. Por një gjë është
e sigurtë se e vërteta jonë pasurohet dhe shpesh korrigjohet apo ridimensionohet nëpërmjet të vërtetave të tjetrit për ne.
Nuk ka qenë thjeshtë ky parim i njohjes që na ka shtyrë ta mbajmë gjallë këtë rubrikë. Ka qenë edhe bindja për nevojën e daljes nga autizmi dhe autoreferencialiteti në të cilën e mbylli komunizmi vetëdijen shqiptare, nga kultura e manipulimit dhe shpëlarjes së truve, nga kultura e vetëmburrjes dhe e injorimit provincial të gjykimit të tjetrit, që kanë lënë gjurmë të thella në mënyrën se si ne e shikojmë veten dhe se si e gjykojmë vështrimin e tjetrit gjithashtu. Prandaj, nisur nga ky synim, me sjelljen e syrit të tjetrit të huaj mbi ne në faqet e Përpjekjes kemi synuar të ngjallim aftësinë për ta venë veten në dyshim, sepse, pa këtë aftësi, vështirë se do të mund të dalim nga vetësiguria e rrejshme e provincialit, vështirë se do të mund të çlirohemi nga shumë zgjedha me të cilat na e kanë prangosur mendjen baballarët e kombit e vështirë se do të përparojë njohja jonë.
Në këtë numër kemi zgjedhur të tregojmë se si na kanë parë e se si na shohin një gazetar i huaj dhe një shkrimtar i huaj. Ata e kanë vizituar Shqipërinë në dy periudha mjaft të largëta me njëra tjetrën. Gazetari amerikan Cyrus L. Sulzberger e ka vizituar më 1939 kurse shkrimtari polak Andrzej Stasiuk e ka vizituar vitet e fundit. Tekstet e të dyve ilustrojnë shumë nga çka u tha më sipër.
Duke lexuar Hamleti tek bijtë e Shqipes të Sulzbergerit vështrimi i autorit të bën të zbulosh jo vetëm gjëra që nuk i dimë apo që i dimë ndryshe, por edhe gjëra që, ndonëse i kemi pasur gjithnjë pranë, (por ndoshta pikërisht për këtë) nuk na kanë shkuar në mendje. Një ndër to për autorin e këtyre rradhëve është edhe fakti se dy figurat kryesore që i kanë vënë vulën historisë së Shqipërisi në shekullin XX, Ahmet Zogu dhe Enver Hoxha kanë, midis shumë të tjerash, një gjë të përbashkët që ka kuptim domethënës: që të dy, pasi kanë hipur në pushtet, kanë vrarë burrat e motrës, Ceno Bej Kryeziun (Zogu) dhe Bahri Omarin (Hoxha). Ishte një zbulim që më befasoi e që sikur më hodhi një dritë që më mungonte në kuptimin e historisë së vendit tonë, që më nxiti të reflektoj edhe një herë për kulturën e egër të pushtetit tek ne, që i ka pasur rrënjët në gjak deri edhe të më të afërmëve, por edhe për dimensionin psikoanalitik të këtyre vrasjeve; më bëri të mendoj për vrasësit e vrasësit të vrasësit për të cilët flet Sulzbergeri, ata që, duke ndjekur ankthin e mbretit vrasës, paguheshin nga ky që të zhduknin të vërtetën, që prap nuk e zhdukën dot. Por Sulzbergeri më bëri të thellohem e të zbuloj edhe diçka tjetër. Që të dy diktatorët i kanë mbajtur pranë dhe i kanë dashur shumë nipërit të cilëve u kanë vrarë baballarët, të cilët, nga ana tjetër, nuk janë bërë dot Hamletë, përkundrazi i kanë adhuruar ungjit e tyre vrasës. Pse vallë gjakmarrja për të cilën flet Sulzbergeri nuk ka funksionuar? Sepse pushteti i më të fortit ka qenë gjithmonë përmbi kodet e
gjakmarrjes? Por, a është vallë thjeshtë kodi i ngrirë i gjakmarrjes ai që e shtyn fisnikun princ Hamlet të mos i pranojë privilegjet e ungjit vrasës të atit, e të japë jetën për ta çuar drejtësinë në vend apo diçka më e lartë e më e thellë?
Shumë refleksione të ngacmon autori teksa na përshkruan ambjentet dhe atmosferën shqiptare të asaj kohe duke hyrë në rezonancë edhe me shumçka kemi jetuar në kohët e mëpastajme.
* * *
Kur i thashë një gazetari se do të botoja Andrzej Stasiuk në numrin e ardhshëm të Përpjekjes ai më tha menjëherë: ay është antishqiptar. Kishte lexuar diçka që Stasiuk kishte botuar në revistën italiane Espresso për Shqipërinë. Nuk e kisha lexuar ende tekstin Shqipëria që ishte në proces përkthimi. Edhe përkthyesi i talentuar i Rruga për në Babadag të Stasiukut Astrit Beqiri mu duk i shqetësuar kur e pyeta. I imunizuar me këto akuza që nga koha kur L'America e Amelios u refuzua të shfaqet nga shqiptarët e vërtetë prita edhe më me kurreshtje të lexoj tekstin. Kur e lexova thjeshtë mbeta i mrekulluar nga aftësa vëzhguese e autorit. Pashë realitetin që jetojmë përditë t i bjerë një dritë hije tjetër, që nuk ia japim dot së brendëshmi, që i jep tjetër vërtetësi dhe tjetër ekspresivitet e më lindi vetvetiu pyetja: pse ndodh kjo pasi nuk jemi të ndjeshëm sa duhet vallë apo pasi nuk jemi të tjerë?
Më ndodhi edhe një fenomen i tmerrshëm për të cilin nuk di a duhet ta falenderoj apo mallkoj autorin. Fillova ta ndjej shumë më tepër kutërbimin e plehrave në rrugën ku kaloj përditë kur dal nga shtëpia ime. Në një kthesë të rrugës së shtëpisë sime ka një vend plehrash nga ata të zakonshmit e Tiranës. Janë tre kazanë të sterrosur e bërë pis nga zjarret që janë ndezur në ta e nga lloj-lloj lëtyrash që janë derdhur mbi ta, gjysëm të shtrembëruar e gjysëm të përmbysur, pa kapakë, sepse duhet të rrinë thuajse gjithmonë të stërmbushur, të pa larë që nga lindja deri në vdekje. Ata më përshëndesin përditë me një kutërbim të qelbur që nga mëngjesi kur dal të pi kafenë e deri në darkë kur kthehem. Janë pjesë e përditshmërisë së lagjes, që nuk na bën më përshtypje apo që nuk na ka bërë asnjëherë përshtypje këtë nuk di ta dalloj.Ata rrinë aty të stërmbushur me kapica plehrash, por edhe thjeshtë të qelbur e pis kur ndodh t'i shohësh të boshatisur, si dëshmi e heqjes dorë nga ana jonë për të marrë përsipër atë që është përtej shtëpisë sonë. Janë dëshmi e pritjes sonë absurde të dikujt që do të vijë të na thotë se duhet t i lajmë kazanët tanë të plehrave. Të asaj pritjeje parazitare që Stasiuku e ka kapur si thelbin e ekzistencës sonë. Kukësi nuk bënte kurrgjë. Kukësi priste rastin. Si një fajkua grabitqar.
Këtë përshtypje të linte në shikim të parë. Kukësi ishte qytet i burrave. Njëlloj si gjithë Shqipëria. Pritjen e kishin në gene. Sikur jeta dhe ndodhitë kishin për të ardhur nga jashtë. Gjithë vendi dukej si një kamp ushtarak në momentin e armëpushimit ose paqes së pasigurtë, ndërsa meshkujt dukeshin si ushtarë me liridalje. Kuptohet nuk bëhet fjalë për luftë, bëhet fjalë për këtë që dikush do të vijë e do t'u thotë ç'kanë për të bërë.
Shkrimtari i huaj vjen, na vendos përballë vështrimin e tij; ne i hedhim një shikim të shpejtë vetes që na ka nxjerrë përpara, dhe, pa marrë guximin të qëndrojmë pak më gjatë, sa për të kontrolluar dhe verifikuar se mos ato vula të zeza i kemi vërtet në fytyrë, se mos ato deformime e rrudha janë të vërteta, produkte të kohës që kemi jetuar, bërtasim antishqiptar!, dhe e thyejmë vështrimin e tij pa qenë në gjendje as të dallojmë dashurinë që ka thellë thellë në sytë e tij edhe kur sheh shëmtinë tonë edhe kur e përshkruan atë sepse ndjeshmëria e tij vjen nga një dashuri më e lartë.
Çfarë është kjo gatishmëri për të refuzuar portretin që na bëjnë të tjerët duke i akuzuar se kemi të bëjmë me një qëllim të keq antishqiptar? Është një pyetje që vlen të ngrihet e të diskutohet edhe sot. A është kjo gatishmëri aq e fortë sa ç'ishte kur refuzuam LAmerican para mëse dhjetë vjetësh? Edhe kjo është një pyetje që vlen të ngrihet e të diskutohet. Përpjekja shpreson se sot ne jemi më të vetëdijshëm për atë se klithmat për antishqiptarizëm apo denigrim të shqiptarit, të lëshuara kundër shkrimtarëve dhe artistëve të huaj si Amelio e të tjerë, por edhe ndaj shqiptarëve që ndajnë frymën e Përpjekjes, më shumë sesa dashuri e dhimbje e vërtetë për atdheun janë klithmë në mbrojtje të kulturës së atyre që atdheun e kanë përdorur për interesa të tjera nga ato të atdheut. Ajo ndjenjë faji që kërkojnë të na ngulin si damkë për atë se flitkërkemi keq për vendin tonë apo pse botokërkemi autorë që nuk e dashkan vendin tonë në fakt kërkon të mbulojë fajin e tyre dhe të ruajë pandëshkueshmërinë e tyre. Prandaj shpresojmë se sot do të ketë shumëmë tepër shqiptarë nga ata që do t'u pëlqejë Shqipëria e Stasiukut nga ç'kishte në fillimvitet 90 nga ata që u pëlqeu L'America e Amelios.

 

Më tepër në këtë kategori: Hamleti tek bijtë e shqipes »