Revista PERPJEKJA

Ndodheni këtu: Faqja kryesore
E Mërkurë, 01 Dhj 2021
E Hënë, 24 Tetor 2011 08:10

Shqipëria

Erdha sërish në këtë vend. Përsëri po ndjej kutërbimin e kanaleve dhe plehërave që pluskojnë. Gjatë natës kishte rënë shi i dendur kështuqë në agim midis shtëpive dergjej një shtresë veshtullore balte. Në pellgaçet

përanash rrugicave argëtoheshin vocërrakë. Në shtatë të mëngjesit po niste vapa. Pronarët e lokaleve dhe dyqaneve shtyjnë pisllëkun me zorra llastiku nga trotuari në xhade. Gjithandej ka karrige që menjëherë do të rezultojnë të nevojshme për burrat që do të kalojnë këtu ditën e lume. Përqafohen e puthen sikur të mos ishin parë një Zot e di ç prej sa kohësh ndërkohë që kishin qëndruar në këto karrige në të njejtën përbërje një natë më parë. Nuk ndryshon gjë prej gjëje. Porositin kafenë e tyre, shoqëruar me gotën e ujit dhe nisin kuvendimin. Nga ora shtatë e mëngjesit llafosin e llafosin si plakat. Qëndrojnë nëpër kafenetë e qyteteve në rrënim, mes shtëpish që me zor mbahen në këmbë dhe veç llomotitin. Vijnë të tjerë, puthen, zenë vend dhe nisin muhabetin. Zbërthejnë këmishat për të treguar varëset floriri. Çojnë filxhanët në lartësinë e buzëve duke përthyer ndërkohë me lezet gishtin e vogël për të treguar unazat e trasha gjithashtu floriri. Çdo disa hapa ka radhë karrigesh e stolash. Dalin nga shtëpitë për t'u ulur buzë rrugës sikur të mos mundnin të bënin dot ndryshe, sikur po vdisnin nga frika para vetmisë. Sikur të kishe mundësi t'i ndaje, t'i mbaje larg njëri tjetrit, me siguri do të çmëndeshin. Janë çuna trupmëdhenj, barkalecë. Gjallojnë në kope. I vetmuari nuk ka shans të mbijetojë.