Revista PERPJEKJA

Ndodheni këtu: Faqja kryesore
E Mërkurë, 01 Dhj 2021
E Martë, 25 Tetor 2011 09:48

Kujdestari i farit në Aspinwall

Njëherë e një kohë ndodhi që kujdestari i farit në AspinWall, jo shumë larg Panamasë, u zhduk pa lënë gjurmë. Meqenëse u zhduk gjatë një stuhie, të gjithë menduan që fatkeqi do të kishte shkuar deri në skajin e ishullit të vogël shkëmbor, mbi të cilin ishte ndërtuar fari, dhe e kishte përlarë ndonjë dallgë.

Kjo hamendje dukej më e mundshmja sepse varka e tij nuk u gjend ditën tjetër në qoshen e saj të zakonshme shkëmbore. Vendi i kujdestarit mbeti bosh. Ishte e domosdoshme që ai të plotësohej sa më shpejt, sepse fari nuk kishte rëndësi të vogël për lëvizjet lokale si edhe për anijet që shkonin nga New York-u në Panama. Gjiri i Mushkonjave është i mbushur me breza dhe ledhe rëre. Përmes tyre, edhe ditën është i vështirë navigimi, por natën, e në veçanti kur ka mjegulla, që janë kaq të shpeshta në ato ujra të ngrohura nga dielli i tropikut, është pothuaj i pamundur. I vetmi udhërrëfyes për anijet e shumta, ishte asokohe fari.