Revista PERPJEKJA

You are here: Faqja kryesore
Friday, 06 Aug 2021
Tuesday, 25 October 2011 15:23

Një histori tjetër evropiane: Industria kinematografike dhe protagonistët e saj në Ballkanin e viteve 70-të dhe deri sot

Ky është titulli i projektit që revista Përpjekja ka zhvilluar në harkun kohor të një viti në bashkëpunim me Observatorin e Ballkanit (Osservatorio sui Balcani, www.osservatoriobalcani.org) me seli në Rovereto të Italisë.

Projekti mbi kinemanë ballkanike ka në fokus të tij zhvillimet dhe transformimet e kinemasë jugosllave, bullgare dhe asaj shqiptare në periudhat para dhe pas ndryshimeve të mëdha politike të fundviteve 1980 dhe viteve 1990. Esetë mbi kinematë ballkanike, që janë rezultati final i projektit, nuk pretendojnë të jenë një histori e kinemasë, një trajtim shterues i gjithë problematikës që ngërthen dinamika e zhvillimit dhe transformimit të kinematografisë ballkanike përgjatë periudhës në fjalë. Përveç kësaj esetë nuk janë realizuar duke përdorur metodën klasike kërkimore, atë të të bazuarit mbi dokumente arkivore. Ato janë bazuar mbi intervista, kujtime dhe përshtypje të protagonistëve të saj, të vjetër e të rinj. Metodologjia e tyre është ajo që në shkencat shoqërore konsiderohet si metoda e oral history (historisë gojore). Numri i tyre është rreth 15 për çdo rast studimor. Këto ese përbëjnë një përpjekje të parë për të kuptuar zhvillimin e kinematografisë përmes kujtimeve dhe të rëndësisë që kanë kujtimet e disa prej protagonistëve të kinemasë së djeshme e të sotme për të kuptuar jo vetëm se si shihet e kaluara, por edhe se cili është realiteti i sotëm dhe e ardhmja e këtij sektori. Shpresojmë që esetë e botuara në revistën Përpjekja të shërbejnë si stimul, shtysë për studime të mëtejshme të këtij sektori të rëndësishëm të kulturës me një ndikim të veçantë mbi shoqërinë.