Revista PERPJEKJA

You are here: Faqja kryesore
Friday, 06 Aug 2021
Thursday, 27 October 2011 06:55

Kinemaja bullgare nga vitet 70-të deri në rënien e regjimit komunist

Kinemaja dhe politika në Bullgari në vitet e regjimit komunist, kanë një lidhje të dyfishtë, një marrëdhënie të pazgjidhëshme e megjithatë jo monolite, por fluide dhe me tipare ambige.

Industria e vogël kinematografike bullgare, e cila përpara luftës së dytë botërore kishte hedhur hapat e para, nën një kornizë të brishtë ekonomike, strukturore, duke ia dalë mbanë të realizonte prodhimet e para modeste, me një farë vazhdimësie vetëm duke nisur nga vitet 30-të, me ardhjen e regjimit bëhet, sipas modelit që kishte ngjarë më parë në Bashkimin Sovjetik, element strategjik dhe qendror i aparatit të propagandës dhe indoktrinimit ideologjik. Kinematografia në Bullgari merr pra nga regjimi i ri mbështetjen ekonomike dhe njerëzore të nevojshme për të krijuar një bazë të shëndoshë, në një proces tipik të udhëhequr nga lart dhe të centralizuar, gjë e cila kulmon me krijimin e studiove të qendrës kinematografike të Boyana-s, në dyert e kryeqytetit Sofje, e cila ishte në gjendje të realizonte brenda mjediseve të saj të gjithë procesin e prodhimit.