Revista PERPJEKJA

Ndodheni këtu: Faqja kryesore
E Mërkurë, 27 Tet 2021
E Enjte, 27 Tetor 2011 07:15

A pati ngritje të perëndimit, nacionalist apo jo?

Debati rreth ngritjes së Perëndimit, në përgjithësi, është zhvilluar mbi faktin se cili faktor, ose faktorë kulturorë, gjeografikë, apo materialë të jetës evropiane e bënë Evropën të largohej nga qytetërimet paraindustriale të botës.

Ky artikull synon të zhvendosë kufijtë e debatit duke argumentuar se nuk ka pasur faktorë shkakësorë që e bënë të pashmangshëm, ose të mundshëm industrializimin e Evropës. Për të qenë të saktë, shumica e Evropës nuk e kishte mundësinë për të lëvizur drej industrializimit më tepër se sa Kina, India ose Japonia. Më së shumti, çka e vendosi Anglinë në një udhë të veçantë, që çoi drejt industrializimit dhe demokracisë kushtetuese ishte një gërshetim krejt i rastësishëm ngjarjesh në fund të shekullit të shtatëmbëdhjetë. Këto rastësi përfshinin kompromisin midis Kishës Anglikane dhe jokonformistëve fetarë si dhe atë midis kurorës dhe parlamentit me marrëveshjet e vitit 1689; përqafimin e shkencës njutoniane si pjesë e kozmologjisë së Kishës Anglikane dhe përhapjen e saj tek zejtarët dhe sipërmarrësit në të gjithë Britaninë, si dhe shansin për të zbatuar idenë e hapësirës së zbrazët dhe mekanikës për të zgjidhur një problem teknik të veçantë: pompimin e ujit nga puset e thella të minierave të qymyrgurit. Pa këto rastësi të veçanta të historisë nuk ka arsye të besohet se Evropa do të kishte përparuar ndonjëherë më shumë se qytetërimet pararendëse aziatike të shekujve të tetëmbëdhjetë dhe nëntëmbëdhjetë.