Revista PERPJEKJA

Ndodheni këtu: Faqja kryesore
E Mërkurë, 27 Tet 2021
E Shtunë, 05 Nëntor 2011 16:08

Shtatorja e Nolit, kioskat dhe monumentalizmi shqiptar

(Edhe një herë për frymën kritike)

Pas botimit të numrit shtatë të Përpjekjes tek një kategori lexuesish janë shtuar disa vërejtjeve dhe pakënaqësi të shprehura prej tyre qysh me daljen e numrave të saj të parë. Disa prej tyre me dashamirësi, disa me cinizëm dhe disa deri edhe me armiqësi janë shprehur se revista ka një frymë nihilizmi pa cak, se
mohon ose përçmon vlerat e së kaluarës, se denigron mjaft figura me të cilat gati-gati identifikohet kombi,
se, duke e lexuar atë, të kap dëshpërimi... Ka edhe nga ata që e kanë quajtur antishqiptare, pasi në
faqet e saj bashkëkombasit na u paraqitkan nën dritën më të keqe...

Përpara se t'u japim përgjigje këtyre kritikave le të tregojmë një nga bëmat e fundit që ka ndodhur në kryeqytetin tonë, jo për të justifikuar në mënyrë banale kritikat e Përpjekjes ndaj shqiptarëve, por pasi mendojmë se kemi të bëjmë me një ngjarje tepër kuptimplotë, që, duke e karakterizuar par excellence 
kohën që po jetojmë, do të na ndihmojë të jemi shumë më të qartë në shtjellimin e argumentave tanë.

Para disa kohësh parlamenti shqiptar kishte marrë vendim që në një nga sheshet e parkut para godinës së tij të vendosej shtatorja e Nolit. U caktua edhe vendi nga Bashkia, ndërkohë që skulptorët filluan punën e thadrimit. Shtatorja më në fund mbaroi, mirëpo ç'ndodhi, kur erdhi koha për ta vendosur, doli se tek
vendi i paracaktuar nga Bashkia na kishte mbirë një kioskë. Mësuam se deri më sot alarmet e mbrojtësve të shtatores prej bronxi kanë qenë të pafuqishme përpara mbrojtësve të ngrehinës me hekur dhe plasmas dhe, si rezultat, Noli vazhdon të dergjet në një depo.
 Besojmë se na lejohet ta quajmë shtatoren që do të vendosej aty simbol të historisë shqiptare, të përpjekjeve kulturore të shqiptarëve dhe të aspiratave të tyre demokratike. Po për kioskën çfarë mund të 
themi? Edhe kioska që triumfoi mbi shtatoren është një simbol. Dikush mund të rrudhë buzët e të thotë, 
Ç'lidhje ka kioska me simbolet? Simboli është diçka që vihet në vende të veçanta kurse kioskat i sheh në
çdo cep e shesh të kryeqytetit. Por nuk është ashtu. Shqiptarët, kur ndërtonin bunkerët ndoshta nuk e kuptonin se po ndërtonin thelbin e Shqipërisë së asaj kohe: simbolin e ksenofobisë, paranojës, kompleksit
të inferioritetit. Edhe kioskat parqezaptuese janë simboli më domethënës i Shqipërisë së sotme: ato janë simbol i barbarisë së re shqiptare, i frymës që përçon ajo mori bashkëkombasish që jetojnë pa histori, pa
kulturë, pa vizione dhe aspirata për të ardhmen, pa frymë komuniteti; i atyre gjallonjësve që jetojnë 
vetëm duke mbllaçitur të tashmen, me dhëmbët gati për të shqyer çdo lloj bisku të gjelbër që mbin mbi tokë pasi nuk janë në gjendje të përfytyrojnë se ai duhet lënë të bëhet pemë. Përsiatjet e Përpjekjes lidhur me kritikat e lartpërmendura do t'i shtjellojmë në kontekstin e luftës midis këtyre dy simboleve, shtatores dhe kioskës.

Në një artikull me titull "Mbi dobinë dhe të keqen e historisë për jetën" Niçja flet për tre mënyra vështrimi të historisë, që burojnë nga tre karakteristika të natyrës njerëzore: njeriu si qënie aktive dhe me aspirata; njeriu si qënie që ruan dhe nderon dhe, së fundi, njeriu si qënie që vuan dhe ndjen nevojën të çlirohet Nisur nga këto tre karakteristika, njeriu ka tre mënyra të vështruari të historisë, atë monumentale, atë antikuare  dhe atë kritike.
 Të vështrosh historinë në mënyrë monumentale, sipas Niçes, do të thotë që momentet e mëdhenj të luftës së individëve në histori t'i shohësh si një zinxhir majash të larta që të frymëzojnë, të mësojnë dhe të ngushëllojnë në jetën tënde të së tashmes. Ta shikosh historinë në mënyrë antikuare do të thotë t i shikosh rrënjët nga ke dalë me dashuri, nderim dhe mirënjohje. Deri këtu, me një vështrim të përciptë, kritikët tanë mund të thonë: Ja ku po i formuloni vetë ato çka i mungojnë Përpjekjes. Mirëpo ata harrojnë se Përpjekja, me vetëdije dhe duke u shprehur haptazi, i ka lënë në plan të dytë këto dy vështrime të historisë dhe jetës shqiptare në favor të vështrimit kritik. Megjithatë duam të vemë në dukje se edhe vështrimi monumental edhe ai antikuar nuk është bërë në Shqipëri ashtu siç e kërkon Niçja, që t'i shërbejnë të tashmes, jetës. Kjo pasi shpesh monumentet e ngritur kanë qenë të rrejshëm apo të stërfryrë, ngase vepra e tyre nuk është trajtuar dhe bërë e njohur ashtu si duhet, apo ngase ata janë shpërdoruar dhe zhvleftësuar në gojën e matrapazëve dhe mashtruesve politikë.

Përpara se të kalojmë tek vështrimi kritik niçean, që është dhe fryma mbizotëruese e Përpjekjes, duam të 
vemë në dukje së paku dy të këqija të mëdha të vështrimit monumental të historisë, i cili, ndonëse
 shpesh i rrejshëm, ka qenë, gjithsesi, mbizotërues në trajtimin që i kanë bërë dhe vazhdojnë t'i bëjnë 
shqiptarët të kaluarës së tyre:
 Së pari, shpesh shpirtrat mediokër dhe meskinë, të armatosur dhe korracuar me historinë monumentale,
 në vend që të frymëzohen prej saj, e përdorin atë kundër shpirtrave të fortë të së tashmes, kundër atyre individëve që janë të aftë të mësojnë nga ajo histori diçka të vërtetë, të dobishme për jetën, si dhe ta transformojnë atë që kanë njohur në diçka më të lartë. Duke hedhur vallen e idolatrisë servile dhe 
miope rrotull një monumenti, ata bërtasin: Nuk lejojmë të na e prekë kush figurën tonë kombëtare, artistin, shkencëtarin, shkrimtarin e madh... , por në fakt s'bëjnë tjetër veçse mbrojnë strehën e paaftësisë, meskinitetit dhe inferioritetit të tyre.

Së dyti, monumentalizmi e ka dëmtuar shpesh vetë historinë, pasi ka ndikuar të lihen jashtë saj, të harrohen apo përçmohen pjesë të tëra të saj, që mund të jenë tepër të rëndësishme për të kuptuar të kaluarën dhe të tashmen e një populli. Si shembull le të përmendim vetëm vakumin 500 vjeçar të historisë së shqiptarëve nën perandorinë osmane. Përsa i përket sensit antikuar, mund të themi se ai nuk ka qenë i zhvilluar tek shqiptarët në formën e ruajtjes me dashuri dhe kujdes të objekteve të së kaluarës, siç e gjejmë sot në Evropë. Megjithatë, në një farë mënyre, ai ka ekzistuar i përzier me vështrimin monumental, shpesh, jo për ta ruajtur, gjallëruar e ushqyer jetën, por për ta mumifikuar atë. [Urrej çdo
gjë që vetëm më mëson, pa ma shtuar aktivitetin, apo pa ma ngjallur atë menjëherë. Gëte.]
 Sidoqoftë, ne të Përpjekjes, që e ndjekim me vemendje dhe interes të veçantë jetën kulturore shqiptare, vemë re se revista nuk ka arritur ta cënojë delirin momumental të shqiptarëve mediokër të rrezatuar
në median elektronike dhe të shkruar. Shqiptarët ende vazhdojnë të jetojnë me atë monumentalizmin e rrejshëm të trashëguar nga epoka nacional-komuniste kur e mendonin veten në qendër të botës, kur në çdo dy figura të shquara botërore njërin e gjenin me origjinë shqiptare, kur në historinë e tyre të përbashkët me turqit kërkonin vetëm vezirët dhe pashallarët, kur letërsinë e tyre e konsideronin më të mirën në Ballkan dhe aktorët e tyre më të mirët në Evropë...
 Nga ana tjetër është fakt që ky monumentalizëm nuk i ka frymëzuar dot shqiptarët për të ndërtuar me
pasion vendin e tyre dhe as për të ruajtur me dashuri vlerat e tyre. Shembulli me shtatoren e Nolit është një nga të panumërtit që mund të gjesh për të provuar dështimin dhe zbrazësinë e monumentalizmit shqiptar.

Kjo zbrazësi, sipas Përpjekjes, nuk rrjedh vetëm pse monumentalizmi dhe dashuria për të parët kanë qenë të rrejshëm apo pse janë keqpërdorur, por edhe pse shqiptarëve u ka munguar tërësisht vështrimi kritik i historisë së tyre. 
Atij që mjerimi i të sotmes i shtyp gjoksin e i merr frymën, atij që don ta flakë tej me çdo kusht këtë mjerim; atij i lind nevoja e një vështrimi kritik mbi historinë, domethënë e një vështrimi gjykues dhe dënues. thotë Niçja. Ky vështrim kritik i historisë shqiptare ka qenë shpesh mbizotërues tek Përpjekja.
 Çdo e kaluar ka punët e saj të ulëta prandaj meriton edhe të dënohet. Në më të shpeshtën e herëve në punët njerëzore, qoftë edhe të vendeve më të qytetëruara, ka dominuar dhuna dhe dobësia njerëzore. Në Shqipëri akoma më tepër. Përpjekja është nisur nga ideja se duke qenë rezultatat i brezave paraardhës ne jemi edhe rezultati i gabimeve të tyre, i pasioneve, keqkuptimeve, padijes dhe krimeve të tyre. Nuk kemi 
pretenduar ta veçojmë veten prej tyre. Nëse i kemi dënuar dhe kemi kërkuar të çlirohemi prej gabimeve, 
këtë e kemi bërë në emër të një të ardhmje më të mirë. Pa mohuar faktin se rrjedhim prej tyre, kemi synuar të arrijmë diçka që na duket e rëndësishme në rrugën drejt ndërtimit të një kulture tjetër shqiptare: të bëjmë dallimin midis asaj që kemi trashëguar dhe asaj që mësojmë e njohim përditë. Ndodh shpesh ta dish ç'është e mira pa arritur ta bësh atë; ta njohësh më të mirën pa mundur ta arrish atë.

Ndofta edhe Përpjekja shpesh ka mbetur në këtë stad, por ky nuk na duket një stad dekurajues, përkundrazi, nxitës. Qasja kritike ka mbizotëruar edhe në trajtimin që i ka bërë Përpjekja së tashmes social-kulturore shqiptare ashtu sikurse dhe politikës. Edhe kjo qasje burimin e ka tek vuajtja dhe nevoja për t'u çliruar. Nëse Përpjekja ka vajtuar e klithur këtë e ka bërë pasi nuk ka pasur zemër për të kënduar. Megjithatë mendojmë se prapa klithmave të saj shkatërruese është ndjerë gjithherë një instikt i fortë ndërtues, madje ka qenë vetë instikti ndërtues i autorëve të Përpjekjes që i ka lëshuar ato klithma. Vetë vazhdimi i ndërtimit të Përpjekjes e provon këtë. Po si mund të këndosh me entuziazëm kur sheh çdo ditë barbarët të të shkatërrojnë vendin, kur sheh se televizori i vetëm shqiptar nuk i hap vend mendimit alternativ jo vetëm në politikë, por edhe në kulturë, kur sheh se pushteti po rikthen me të shpejtë në vendet drejtuese të institucioneve kulturore elementët më konservatorë, përfaqësuesit tipikë të mediokritetit, servilizmit dhe burokracisë të epokës nacional-komuniste?
 Le të tregojmë përsëri një ngjarje të ndodhur vetëm pak ditë më parë.

Edi Rama, piktori, publicisti, shkrimtari, pedagogu luftarak i Akademisë së Arteve, që në vitin '90 e shndrroi sallën e saj në vendin e
parë të tubimeve antikomuniste të rinisë universitare, që ka punuar më shumë se kushdo që Akademia e Arteve të edukojë krijues të lirë dhe jo skllevër të traditave e të pushteteve, që gjatë këtyre pesë vjetëve u ka sjellë studentëve disa personalitete të artit dhe kritikës botërore, mes të cilëve edhe kritikun e njohur italian Akile Bonito Olivën, që jo vetëm ua ka sjellë, por shpesh ka bërë edhe përkthyesin gjatë 
leksioneve të tyre, u largua nga Akademija e Arteve. Ditën e largimit, në prani të dekanit, teksa kalonte 
nëpër rruginat e asaj Akademije për të cilën ka dhënë aq shumë, e shoqëruan sharjet dhe fyerjet banale të tre muaj, janë provë se Shqipëria ende ndjen, ende nuk është dorëzuar përfundimisht në duart e studentëve ngelës nga provinca.

Sot vëzhguesit e jetës shqiptare thonë se kur i pyet mbi të ardhmen e vendit pjesa më të madhe e të rriturve përgjigjen se ky vënd nuk bëhet; kurse pjesa më e madhe e të rinjve se duan të ikin në Perëndim... Ndërkaq të vegjëlit rriten në kopshtet dhe shkollat e zbrazëta e të shëmtuara që këta disfatistë i mbajnë të hapura deri sa t'u dalë ndonjë vizë për jashtë shtetit. Më tepër se kurrë në Shqipërinë e sotme ndjehet humbja e shpresës. Besojmë se këtë gjendje nuk e kanë krijuar 700 kopjet e Përpjekjes dhe as ay grusht intelektualësh që disa politikanë dhe intelektualë shqiptarë i akuzon si shkatërrues, denigrues etj etj.... por, paradoksalisht, pikërisht ata që bërtasin se Përpjekja po shkatërron vlerat. 
Këta janë:

- Demagogët, që e përdorin nacionalizmin për avantazhe meskine politike;

- Të indoktrinuarit, që ndjehen keq po u cënove disa simbole identiteti;

- Turma e të pavetëdijshmëve, që, ashtu si delet e Panyrgut, shkon pas të parëve;

- Ata që kanë frikë nga tre kategoritë e lartpërmendura.

Kjo luzmë është e paaftë t'i njohë e çmojë me të vërtetë vlerat. Kur i bijen në dorë, ajo u heq atyre shpirtin dhe jetën duke i tabuizuar, mumifikuar apo shpërdoruar. Padija dhe fanatizmi i tyre ndaj vlerave janë dy anë të së njëjtës medalje, dy ekstreme që puqen tek një pikë e vetme, antivlera. Për ta shtatorja e Nolit, si në depo si në piedestal, ka të njëjtën vlerë dhe gjithmonë më të vogël se një kioskë që u mbush atyre xhepat. Këto qënie monstruoze pa kokë dhe pa sy, por vetëm me gojë dhe xhepa, na dalin kudo përpara, duke na e trishtuar pamjen dhe duke na e kthyer këngën në britmë.

Përpjekja është e vetëdijshme se, ashtu si gjendja e përshkruar më lart ashtu edhe mëshimi vetëm tek gjykimet dhe kritikat rrezikon ta paralizojë instiktin e mbetur krijues të shqiptarëve, së bashku me gëzimin që çliron ai. Ajo është munduar t'i shmanget kësaj nëpërmjet përzgjedhjes për botim në faqet e saj të krijimeve dhe përkthimeve sa më cilësore, punës kultivuese me gjuhën shqipe, inkurajimit të të rinjve etj.. Në këtë numër po fillojmë edhe rubrikën "Ç'duhet bërë", ku ftojmë të sugjerohen ide pozitive. Ndërkaq,
 e përsërisim, nëse i jemi qasur me dëshpërim dhe revoltë historisë apo aktualitetit shqiptar, këtë e kemi bërë për t'u ngjallur njerëzve nevojën e çlirimit dhe ndryshimit dhe jo për t'i bërë ata ta braktisin punën krijuese apo vendin. Ne jemi të bindur se çdo lexues serioz, i kulturuar dhe patriot nuk do të gjejë te dëshpërimi dhe revolta e Përpjekjes disfatizëm dhe antishqiptarizëm, por mundin dhe kurajon intelektuale të atyre bashkëkombasve që e duan shoqërinë dhe kulturën shqiptare të qëndrojë me dinjitet në familjen evropiane.

Më tepër në këtë kategori: Vazhdimi i një dashurie »