Revista PERPJEKJA

You are here: Faqja kryesore
Wednesday, 27 Oct 2021
Saturday, 05 November 2011 16:21

Kasëm Trebeshina 70-vjeçar - në kërkim të së tashmes së përjetshme

Sivjet, më 8 gusht, u mbushën 70 vjet prej lindjes së Kasëm Hysen Trebeshines nonkonformist i pakompromis, luftëtar i përhershëm për mendimin dhe krijimin e lirë, mbrojtës i pamëshirshëm i të vërtetës dhe i sinqeritetit të pakursyer, monument i rezistencës intelektuale, morale dhe artistike.

E përshëndesim 70-vjetorin e lindjes së shkrimtarit shqiptar, të cilin kritika letrare në Gjermani dhe Austri e barason me figurën e madhe të letërsisë europiane të groteskut, Eugène Ionesco. Në qarqet intelektuale e pseudointelektuale shqiptare, shumëkush nuk e pëlqen figurën e Kasëm Trebeshinës. Përse? Në radhë
të parë, siç duket nga thashethemet, si pasojë e mosnjohjes. Dihet se si krijohen e etikohen armiq a tradhtarë intelektualët a krijuesit, veprën dhe veprimtarinë e të cilëve thjesht nuk e njohin dot përgojuesit përkatës. Nga më shumë se 100 tituj, Trebeshinës i janë botuan, deri më tash, 5 libra në Shqipëri dhe 3 në Kosovë, gjë që s do koment. Përveç kësaj, autori Trebeshina e prish komoditetin e lexuesit të përciptë përkatësisht të konsumuesit të leximit e mendimit të cekët.