Revista PERPJEKJA

You are here: Faqja kryesore
Wednesday, 27 Oct 2021
Sunday, 13 November 2011 10:55

Eqeremi

Tarraca ishte sheshi më i madh i kampit. Aty grumbulloheshim për të pritur grupin e policëve të punës që na shoqëronte për në minierë si dhe për apelet e ditës. Qe një sipërfaqe sa dy-tre fusha volejbolli, e shtruar me beton dhe e rrethuar me kangjella hekuri që mbulonte banjat, nevojtoret, depot e teshave të minierës dhe kuzhinën private.

Teposhtë saj vinte rrethimi me tela, karakollet dhe pastaj vazhdonte rrëpira, që varej gjithnjë e më pingulthi deri tek përroi. Përballë, përmbi përrua, ngrihej një varg kodrash të larta të mbuluara me shkurre që ngjitej gjithnjë e më të lart drejt verilindjes për nga maja e lartë e Munellës. Ky varg kodrash ishte i vetmi peizazh i pa qerthulluar me tela dhe karakolle që shihej nga kampi. Ishte një mur i lartë natyror që e mbulonte horizontin nga veriperëndimi deri në verilindje dhe që, me atë monotoninë dhe peshën e tij të rëndë, e përballte përditë zymtësisht shikimin e të burgosurve. Në të kishte gjithsej vetëm tri shtëpi të veçuara, shumë larg njëra tjetrës, nga të cilat zbrisnin disa monopate barinjsh që dukeshin dhe zhdukeshin mes shkurreve e shkarëzimave.