Revista PERPJEKJA

Ndodheni këtu: Faqja kryesore
E Dielë, 16 Maj 2021
E Mërkurë, 16 Nëntor 2011 08:34

Mbi Vermmer-in

Muzeu Mauritshuis në Hagë paraqiti, si vazhdim i ekspozitës së Galerisë Kombëtare të Arteve të Uashingtonit, një retrospektivë kushtuar veprave të piktorit Johannes Vermeer (1632-1675). Kjo ekspozitë ka kërkuar durim, punë dhe diplomaci shumë të madhe, por edhe më se katër milion dollarë.

Nga opusi i paktë (gjithsej tridhjetë e pesë vepra që njihen deri më sot) u ekspozuan njëzet e dy. Disa vepra u restauruan kohët e fundit, çka na mundëson të saktësojmë njohuritë tona për teknikën e tij të përsosur dhe për ngjyrat që artisti i prodhonte vetë me kujdesin më të madh. Çdo gjë është punuar me një kujdes dhe një hollësi të jashtëzakonshme, qoftë për punën përgatitore, qoftë për kompozicionin, qoftë për ekzekutimin. Ajo që bie menjëherë në sy te Vermeer-i është se ai i kushton barabar interes çdo pjese dhe imtësie në pikturat e tij. Me sa duket subjekti, në kuptimin tradicional, nuk ka rol të dorës së parë tek ai. Shikoni për shembull portretet pothuajse tërësisht të bazuara tek i njëjti model: një personazh i ndriçuar fort nga ana e majtë, i cili, edhe kur zë vendin qendror në kompozicion, si te Lexuesja pranë dritares ose te Baxhoxhesha, tërë rëndësinë ua lë elementeve të tjerë - nje ballë muri, lajtmotivi i hartës së madhe gjeografike, natyra të qeta.