Revista PERPJEKJA

Ndodheni këtu: Faqja kryesore
E Shtunë, 04 Dhj 2021
E Martë, 18 Shtator 2012 19:42

Origjina e kryengritjes së Skënderbeut

 

Lëvizja e gjatë dhe e ashpër kryengritëse në Shqipëri ka përbërë një nga pengesat më të rëndësishme për vendosjen përfundimtare të pushtetit osman në Ballkan dhe formimin e plotë të Perandorisë Osmane në periudhën e Muratit II dhe atë Sultan Mehmetit II Ngadhnjimtarit.

 

Ndërsa mbretëria e fortë hungareze, duke pasur mbështetjen materiale dhe shpirtërore të papatit dhe botës së krishterë kërkonte të zgjeronte pushtetin e saj përtej Danubit dhe në vitet 1443-1444 zhvillonte një ndër pushtimet më të rrezikshme në territoret osmane në Ballkan, kryengritja në Shqipëri po dobësonte në mënyrë të tejskajshme krahun e majtë të qendresës Osmane. Ndërsa Beogradi ishte, në një anë, kufiri me Europën Qendrore, Shqipëria, në tjerën, ishte kufiri me Italinë dhe të dy këta kufinj përbënin portat e hyrjes për në Ballkan. Për këto arësye, në këto dy pika kyçe, ndeshja me botën perëndimore mori formën e përplasjeve më të forta dhe më të vështira. Fushatat a mëdha (1448, 1450, 1463, 1466, 1467, 1478) që u bënë në Shqipëri, në të cilat morën pjesë personalisht si Sulltan Murati II e si Sulltan Mehmeti II Ngadhnjimtari, erdhën si rezultat i kësaj gjendjeje.