Revista PERPJEKJA

Ndodheni këtu: Faqja kryesore
E Hënë, 18 Jan 2021
E Mërkurë, 22 Maj 2013 20:03

Origjinat e Pretenduara të Oxhaqeve Shqiptare: Orvatje për Kontekstualizim

 

Dëshmitë, kumtet dhe qëndrimet e pasardhësve të oxhaqeve shqiptare e pasurojnë diskursin historik rreth prejardhjes së tyre duke hapur perspektiva domethënëse, neglizhimi i të cilave do ishte i pajustifikueshëm. Larg të qenit të rastësishëm, kumtet dhe qëndrimet e secilit zë ndaj origjinave të oxhaqeve, shtresës më emblematike të elitave shqiptare të dikurshme, thërrasin për një qasje të vëmendshme, pikërisht sepse janë përzgjedhur për t’iu imponuar diskursit historik. Konceptuar si përpjekje për të kuptuar më qartë kumtet e larmishme mbi origjinat e oxhaqeve shqiptare në kohë dhe hapësirë, artikuluar nga anëtarë të shquar apo më pak të tillë të këtyre oxhaqeve, ky vështrim analitik nuk merr përsipër të hulumtojë të vërtetat e origjinave. Qëllimi i këtij vështrimi nuk është veçse pasqyrimi dhe shqyrtimi i pretendimeve të artikuluara rreth origjinave të oxhaqeve shqiptarë, për t’i vendosur ato në perspektivë historike dhe kontekstuale.