Shumica e artikujve të këtij numri, që e ka zanafillën në workshop-in e organizuar në Vjenë, më 1 Mars 2013, me iniciativën e Oliver Schmitt-it, si një bashkëpunim i Institutit për Historinë e Evropës Lindore (Institut für Osteuropäische Geschichte), Universitetit të Vjenës dhe revistës Përpjekja, janë shkruar nga studiues të rinj dhe të reja. Ata, sikurse thuhet në editorialin që vijon pas këtyre fjalëve hyrëse, synojnë të hedhin dritë, me një frymë dhe metodologji të re bashkëkohore, mbi aspekte të ndryshme të historisë së Shqipërisë në shekullin XX, nga perspektiva e disiplinave të ndryshme shkencore si antropologjia, historia, shkencat politike, teologjike dhe linguistike, duke na dhënë një panoramë të temave ku janë përqendruar sot kërkimet në këto fusha si dhe të metodave që po përdoren.
Rëndësia e këtij numri është e dyfishtë. Së pari, ai tregon se ka studiues të rinj, që po marrin stafetën e kërkimeve me një metodologji të re shkencore, të ndryshme nga ajo e kulturës së trashëguar; së dyti, në faktin se theksi i këtyre studimeve vihet mbi periudhën e komunizmit, që është thuajse e pastudiuar, ndërkohë që ka qenë kaq vendimtare në historinë e Shqipërisë dhe të kulturës së saj, duke bërë që këta studiues të mund të konsiderohen edhe si pionierë të studimeve të periudhës së komunizmit.
Gandi thotë: "Në fillim të injorojnë, pastaj të fyejnë, pastaj të luftojnë, dhe pastaj fiton." Përpjekja, sikurse mjaft prej autorëve të saj, ka provuar në këtë rrugë njëzet vjeçare edhe shumë injorim, fyerje, luftim nga përfaqësuesit e kulturës së shumicës dominante, por nuk ka hequr dorë nga bindja se kultura që ajo kërkon të përçojë një ditë do të fitojë. Ky numër sjell disa nota optimiste në këtë drejtim prandaj, në një farë kuptimi, këtë numër e konsiderojmë si një kalim stafete të frymës së Përpjekjes në duart e më të rinjve.