Revista PERPJEKJA

Ndodheni këtu: Faqja kryesore
E Hënë, 29 Nën 2021
E Enjte, 24 Shkurt 2011 20:52

Numri 26-27 i revistës Përpjekja, “Mërgimi shqiptar pas vitit 1990”

Doli numri 26-27 i revistës Përpjekja, “Mërgimi shqiptar pas vitit 1990”. Në këtë vëllim analizohen nga këndvështrime të ndryshme, historitë dhe dilemat social-kulturore, ekonomike e politike të emigrantëve të pas 90-ës, në lidhje me vendin e origjinës dhe destinacionet e ndryshme nëpër botë.

Ky numër i Përpjekjes përfaqësohet nga 21 njësi (artikuj shkencorë dhe ese, blloqe poetike dhe prozë artistike) dhe 18 autorë. Shkrimet dhe autorët grupohen si më poshtë.

Së pari, janë përfaqësuar gjeografikisht zonat themelore të emigrimit të shqiptarëve në përpjesëtim të drejtë me sasinë e shqiptarëve lëvizur drejt tyre, që përkon edhe me intensitetin e problematikave social-kulturore dhe politike që gjëllojnë në hapësirat shqiptare, brenda e jashtë Shqipërie. Kjo kategori shkrimesh fokusohet në një hapësirë të caktuar gjeografike, dhe merret kryesisht me dukuritë karakteristike të kësaj hapësire, duke sjellë analiza cilësore me bazë statistikore mbi to. Grupimin sipas gjeografive e prin një shkrim i Russell King-ut mbi të dhëna të përgjithshme për lëvizjet migratore në Shqipërinë e pas 1990-ës, dhe disa ravijëzime teorike themelore mbi pasojat pozitive e negative të këtyre lëvizjeve.

Më pas radhiten, së pari, Italia dhe Greqia, më pas Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa në Evropën Perëndimore me më pak emigrantë shqiptarë, janë zgjedhur Anglia dhe Zvicra. Për nga gjinia dhe stili i shkrimeve, paraqitja e të dhënave, e analizës dhe përshkrimit të dukurive që hasen në secilin grup gjeografik, shkrimet janë të ndryshme. Lexuesi kalon nga një lloj zhanri në tjetrin, dhe njëkohësisht merr pikëvështrime e ndjesi të ndryshme të eksperiencave migratore të shqiptarëve në vende e situata specifike. Italia dhe Greqia, si destinacionet që bartën peshën më të madhe (Italia, edhe atë fillestare, dhe ky vend përbënte edhe shënjestrën e ëndrrës disa-dekadëshe të shqiptarëve në erën socialiste), dhe fenomenologjinë më të larmishme të valëve të përvitshme të emigracionit shqiptar që nga vitet 90 deri sot, janë përfaqësuar me shkrime akademike që analizojnë të dhënat sipas metodave cilësore ose statistikore (Nikos Gogonas, Rando Devole), me ese kritike të zgjeruara fokusuar në mënyrën se si u formësua imazhi i emigrantit shqiptar nga mediat (Ardian Vehbiu/Rando Devole), si dhe tregime të lira artistike dhe narrativa biografike e autobiografike të hapave të parë të emigracionit intensiv e kaotik në këto vende (Gazmend Kapllani, Ardian Vehbiu). Midis shkrimeve ka tri grupe poetike me krijime nga Filippo Davoli, Romeo Çollaku dhe Luan Xhuli. Emigracioni ynë në ShBA, i treti për nga pesha e madhësia, vjen me një punim që analizon dukuritë socialpsikologjike e kulturore të brezit të parë të emigracionit, dhe, në nënkapituj të ndryshëm, gërsheton shkrimin akademik, esenë, dhe meditimin personal (Eda Derhemi). Emigracioni ynë në Angli përfaqësohet nga një shkrim akademik mbi tiparet themelore të këtij grupi mërgues dhe reagimet e tij më përfaqësuese, në kushtet specifike të Anglisë (Zana Vathi), si dhe ridel pjesërisht në një shkrim mbi trafikimin (Stephanie Schwandner-Sievers). Mërgimi në Zvicër, vjen me një analizë bazuar mbi vëzhgim dhe eksperiencë personale të marrëdhënieve vendas-të ardhur (Albana Rexhepaj) , me fokus në grupin Kosovar të emigrimit, që shpesh për të huajt konceptohet si grup emigrues shqiptar pa dallim zone origjine. Shkrimet me kriter përkatësinë gjeografike të emigracionit shqiptar, përmbyllen me një shkrim kritik përmbledhës që analizon politikat dhe rolin e shtetit shqiptar dhe institucioneve ndërkombëtare si faktor ndikues (mungesë apo prani) në zhvillimet e emigracionit shqiptar në tri faza themelore: deri në vitet ’90, në vitet ’90, dhe në dhjetëvjeçarin pas tyre (Juli Vullnetari). Ndër shkrimet akademike dhe esetë e këtij grupimi janë përfshirë poezi mbi tema të emigracionit nga poetet Albana Shala dhe Giuseppina Demetra Schiro’.

Shkrime të tjera orientohen jo brenda një zone hapësinore specifike, por sipas një dukurie të caktuar, pavarësisht nga vendi ku emigrohet: rrjedhimisht në to analizohen dukuri me një gjeografi shumëvendëshe dhe të lëvizshme, si në rastin e analizës së ndryshimit ose jo të dinamikave të rolit gjinor në familjen fshatare e të qytetit të vogël shqiptar (zona e Fierit) mes familjarëve të emigruar dhe atyre që jetojnë ende në Shqipëri, lidhur ndërvarshëm me dërgesat financiare, të studiueses Erin Smith; trafikimin njerëzor për seks, nga studiuesja Stephanie Schwandner-Sievers për rastin e femrave shqiptare të trafikuara (ajo merret me rastin e Anglisë, por vështrimi teorik i faktorëve që e bëjnë dukurinë e prostituimit një ‘zgjedhje të detyruar’ nga ana e grave, dominon gjeografinë e rastit studimor) e më pas të kthyera në Shqipëri ose të rifutura në qarkun e trafikimit; dhe nga studiuesi Nicola Mai, për rastin e meshkujve shqiptarë në rolin e tutorit dhe profilin e tyre psiko-social nëpër botë e në Shqipëri. Dy studiuesit e fundit i zhveshin aktorët e analizave të tyre nga rolet në të cilat jemi mësuar t’i shohim zakonisht, pra gruaja e trafikuar - si viktimë që u fut në qarkun e prostitucionit me forcë nga meshkujt, dhe burri trafikues (ose tutori) - si personifikim i ligësisë, mashtrimit dhe abuzimit ndaj femrave, e i konsiderojnë ata si “zgjedhës” profesionesh të caktuara, zgjedhje që kushtëzohet nga dukuri komplekse socialkulturore. Ky cikël shkrimesh mbyllet me një grupim poetik mbi mërgimin, në gegërisht e toskërisht, nga poetë klasikë.

Shkrimet hapen nga dy hyrje, njëra shkruar nga editori i përgjithshëm i revistës, Fatos Lubonja, dhe tjetra, nga editorja e këtij numri, Eda Derhemi.
Numri 26 i Përpjekjes i titulluar “Mërgimi shqiptar pas vitit 1990” gjendet tashmë në libraritë kryesore të Tiranës.

Janar, 2011

Më tepër në këtë kategori: Në fillimet e nacionalizmit shqiptar »