Revista PERPJEKJA

You are here: Faqja kryesore
Friday, 06 Aug 2021
Friday, 25 February 2011 10:11

Shqipëria si një laborator për studimin e migrimit dhe zhvillimit

Ky material argumenton se për arsye të përvojës së saj vrullshme gjatë ditëve tona në kuadrin e tranzicionit, varfërisë dhe zhvillimit të pakët, Shqipëria është një laborator i shkëlqyer për studimin e marrëdhënies dinamike dhe të ndërvarur reciprokisht midis migracionit dhe zhvillimit.

Pjesa e parë e artikullit është një shpjegim kronologjik i zhvillimit të emigracionit nga Shqipëria. Theksi vihet veçanërisht tek tri “valët” e emigracionit: emigracioni masiv menjëherë pas rënies së komunizmit, në fillim të viteve ’90; kriza e skemave piramidale në 1997; dhe kriza e Kosovës në 1999. Pas një periudhe të shkurtër kur shqiptarët i mirëpritën në Itali dhe Greqi, vijoi një stigmatizim i ashpër, madje edhe brutal, që ua vështirësoi shumë jetën migrantëve shqiptarë në këta dy vende pritës kryesorë. Krahas emigracionit, rryma të forta të migracionit të brendshëm e kanë shkulur dhe rishpërndarë gjithashtu popullsinë shqiptare nga zonat malore fshatare të veriut dhe jugut në Tiranë, Durrës dhe qytete të tjera kryesore.

Gjysma e dytë e materialit analizon marrëdhëniet midis migracionit shqiptar dhe zhvillimit dhe ndahet, nga ana e saj, në tre nënndarje. Së pari, migracioni paraqitet si një proces përzgjedhës, që filtrohet përgjatë një game ndryshoresh si në në nivel individual ashtu edhe në tërësi, duke përfshirë moshën, gjininë, arsimin, prejardhjen qytetare kundrej asaj fshatare etj. Në pjesë të ndryshme të Shqipërisë janë vënë re në veprim tipe dhe intensitete të ndryshme te migracionit. Së dyti, të ardhurat paraqiten si një burim jetik ekonomik, si për vendin në tërësi, ashtu edhe për qindra mijëra familje dhe vatra. Së fundmi, shtrohen pyetje për migracionin e kthimit – mbase pjesa e kuptuar më pak e ciklit të migracionit shqiptar, edhe ngaqë niveli i kthimeve nuk është kuptuar aq sa duhet. Sipas disa dëshmive, të kthyerit sjellin zhvillim kapitalist të shkallës së vogël me anë të mikrondërmarrjeve të tyre, kurse ka të tjerë që argumentojnë se pa pasur reforma rrënjësore ekonomike, politike, sociale dhe infrastrukturore, në Shqipëri kthimet nuk kanë gjasa të ushtrojnë ndonjë efekt të madh mbi zhvillimin.