Revista PERPJEKJA

Ndodheni këtu: Faqja kryesore
E Mërkurë, 20 Tet 2021
E Premte, 25 Shkurt 2011 10:14

Gjuha e brezit të dytë imigrant në Greqi

Të dhënat nga kërkimet mbi aftësitë gjuhësore të fëmijëve me origjinë shqiptare dhe për modelet e përdorimit të gjuhës brenda familjeve shqiptare tregojnë se brezi i dytë i shqiptarëve në Greqi po e humb gjuhën amtare me shpejtësi.

Folësit e rinj çfaqin një prirje të qartë për të përdorur greqishten në komunikim, sidomos me njëri-tjetrin. Për më tepër, zgjedhja që i bëjnë gjuhës kur janë me bashkatdhetarë të tjerë varet nga aftësia me gjuhën amtare: meqenëse kjo aftësi po tkurret, edhe përdorimi i gjuhës amtare po bie. Kërkimet tregojnë se nxënësit shqiptarë janë të vetëdijshëm për statusin e stigmatizuar që i japin grupit të tyre në Greqi, dhe dëshirojnë t’i rrijnë larg një identiteti dhe gjuhe të stigmatizuar. Nga ana tjetër, megjithëse prindërit shqiptarë e kanë si ideal ruajtjen e gjuhës, ata nuk marrin masa drastike për t’ua transmetuar gjuhën amtare fëmijëve të tyre. Prestigji i perceptuar i greqishtes si gjuhë e ngjitjes së shkallës sociale dhe “fluiditeti” i identitetit etnik krahas një prirjeje asimiluese që i karakterizon shumë prindër shqiptarë, i bën ata të përqafojnë greqishten në kurriz të ruajtjes së gjuhës dhe të përcjelljes së saj brezit pasardhës.
Përdorimi i gjuhës amtare dhe shpresat për ruajtjen e saj tek brezi i dytë lidhen jo vetëm me qëndrimin dhe përpjekjet e prindërve, por edhe me ato të shoqërisë pritëse. Veçanërisht sistemi shkollor mund të luajë një rol thelbësor për nxitjen e ruajtjes së identitetit gjuhësor dhe kulturor, duke i përkrahur ato nëpërmjet programeve të institucionalizuara, por edhe nëpërmjet orientimeve dhe qëndrimeve që mësuesit u përcjellin nxënësve dhe familjeve të tyre. Megjithatë, për shqiptarët në Greqi mbështetja institucionale është minimale dhe sistemit arsimor grek i mbetet për të bërë një rrugë të gjatë për t’u hapur ndaj diversitetit që sjellin nxënësit e huaj, që kryesisht janë shqiptarë. Krahas rëndësisë së rolit sistemit shkollor, ruajtja e gjuhes dhe kulturës shqiptare, si dhe lidhja me vendin e origjinës mund të përkrahen deri në njëfare mase nëpërmjet komuniteteve të ndryshme të shqiptarëve në Greqi. Megjithatë, këto komunitetete aktualisht kanë çfaqur forma tepër të dobta mbledhjeje. Ndërsa të rinjtë shqiptarë asimilohen gjithmonë e më shumë në shoqërinë greke, një lidhje e dobësuar me gjuhën dhe kulturën e tyre amtare përfundimisht mund t’i zbehë të gjitha lidhjet domethënëse me vendin e të parëve. Shqipëria mund të shoqërohet me kujtimet e pushimeve verore të fëmijërisë, një vend që i përket brezit të prindërve të tyre, por që ka pak rëndësi për jetën e tyre të sotme dhe të ardhme. Në të njëjtën mënyrë, gjuha shqipe mund të marrë një funksion thjesht simbolik – po pati të tillë – për brezin e ri.