Revista PERPJEKJA

Ndodheni këtu: Faqja kryesore
E Mërkurë, 08 Dhj 2021
E Premte, 25 Shkurt 2011 10:17

Nga gulag komunist në geto ballkanike: Shqipëria dhe politikat migratore në vite

Rënia e Murit të Berlinit që simbolizoi rrëzimin e sistemit socialist në Evropën Qendrore dhe Lindore, u pa me shqetësim nga disa prej autorëve të politikave në Evropën Perëndimore, që parashikuan një “përmbytje” potenciale të vendeve të tyre të kamura prej imigrantëve.

Megjithatë, kjo frikë nuk u vërtetua dhe imigracioni postkomunist lindje-perëndim qe i kufizuar. Përjashtim ishte vetëm Shqipëria, migracioni i së cilës çfaqi tiparet e një eksodi – të paktën në fillim të viteve ’90 – përsa i përket përpjesëtimit të tij me popullsinë e vendit, përqëndrimit brenda një periudhe të shkurtër dhe tipologjisë së këtyre lëvizjeve. Kështu, midis viteve 1990 dhe 2005, vlerësohet se rreth 1 milion shqiptarë migruan dhe jetojnë jashtë vendit. Në 2010 kjo shifër kishte arritur afro 1,5 milion, ose pothuajse gjysma e banorëve të vendit, sipas të dhënave më të fundit të Bankës Botërore. Padyshim që politikat migratore të qeverive të njëpasnjëshme shqiptare, si dhe aktorët e jashtëm si BE dhe IOM kanë luajtur një rol kyç në dhënien trajtë të këtyre lëvizjeve migratore. Ky artikull përbën një kontribut modest për analizën e këtyre politikave gjatë viteve. Ai përqëndrohet tek dy dekadat e fundit, megjithëse është i vendosur në një sfond historik.

Gjatë viteve të komunizmit emigrimi nga Shqipëria konsiderohej tradhti dhe ndëshkohej ashpër; si përfundim vetëm pak njerëz ia dolën të largoheshin. Izolimi social-kulturor dhe politik i vendit theksohej më shumë nga militarizimi i kudogjendur dhe të gjitha këto i bënin shqiptarët ta ndjenin veten si banorë të një “gulagu”. Nuk është për t’u habitur që pati largime në një masë aq të madhe sapo u bënë të mundura. Dalja nga ky “gulag” komunist i izolimit total u pasua nga “kufij fare të hapur” në vitet ’90, përpara se të realizohej një qark i plotë që çoi në një mbyllje tjetër – kësaj radhe brenda “getos ballkanike”. Largimi nga kjo e fundit po bëhet më i lehtë në momentin që po shtypet ky numër i gazetës – në dhjetor 2010 – moment kur shqiptarët janë ndër popujt e fundit të Ballkanit Perëndimor që udhëtojnë për vizitë në zonën Shengen të BE-së pa pasur nevojë për viza të lëshuara nga ambasadat.

Politikat qeverive të njëpasnjëshme shqiptare gjatë këtyre dy dekadave postkomuniste janë përshkruar nga studjues të ndryshëm si pasive, ose në rastin më të mirë si momentale dhe jokoherente. Momenti më i rëndësishëm ka qenë Strategjia Kombëtare e Migracionit (SKM), suksesi i së cilës mbetet i dyshimtë ndërkohë që ajo po i afrohet mbarimit të saj në 2010. Në praktikë, qëndrimi i atyre që kanë pasur përgjegjësi për hartimin dhe zbatimin e politikave ka qenë ta përdorin emigracionin si instrument për eksportin e të papunëve dhe për importin e parave në formën e të ardhurave të dërguara shtëpisë. Këto të ardhura kanë mbuluar deficitin tregtar të vendit që rritet me hapa galopante, krahas funksionit të tyre si të ardhura jetike për qindra mijëra familje që kanë mundësi të kufizuara për ta siguruar jetesën aty ku jetojnë.

Po ta lëmë mënjanë paaftësinë dhe mungesën e vullnetit politik, shumica e këtyre politikave kanë pasqyruar programet e aktorëve të jashtëm, ndër të cilët ata me më tepër ndikim kanë qenë Komisioni i BE-së, IOM-i dhe qeveritë e Greqisë dhe Italisë fqinje. Në thelb, politikat e këtyre aktorëve të jashtëm kanë pasur si synim luftën kundër migracionit të “parregullt” drejt vendeve të tyre, nga Shqipëria ose përmes saj, edhe kur u hidhnin përsipër vellon e retorikës së “zhvillimit”. Kjo duket qartë sidomos tek linja e përgatitjes dhe zbatimit të SKM, Marrëveshjes së Ripranimit me BE-në dhe pasqyrohet sidomos në rrugën që po ndjek vendi për anëtarësim në BE. Me sa duket, rrethi vicioz i emigracionit të paligjshëm në nivel “zero” si kusht për liberalizimin e vizave kundrejt kanaleve të shtrënguar për migracion të ligjshëm, përfundimisht është këputur. Përsa i përket asaj që na pret përpara, e rëndësishme është të mos t’i harrojmë migrantët si si faktor kyç zhvillimi si për Shqipërinë, ashtu edhe për vendet pritëse, jo vetëm nga ana ekonomike, por edhe nga ajo social-kulturore. Politikat migratore më të suksesshme janë ato që e njohin këtë rol dhe zhvillohen në bazë të tij, meqenëse ato, ndër të tjera, sigurojnë kuadre dhe struktura efikase që zgjerojnë mundësitë për migrim dhe përmirësojnë jetesën në Shqipëri.