Revista PERPJEKJA

Ndodheni këtu: Faqja kryesore
E Mërkurë, 08 Dhj 2021
E Premte, 25 Shkurt 2011 10:17

Hapësirë-mbushëse apo fis-shkatërruese? Solidariteti femëror transnacional kundrejt faresfisit në rrethin e Fierit

Për shkak të strukturës patrilineale dhe patriarkale të shoqërisë tradicionale shqiptare, rrjetet e solidaritetit midis grave të martuara fshatare në Shqipëri dhe familjes së origjinës së tyre kanë qenë të kufizuara deri në kohët e fundit.

Ky studim paraqet të dhëna nga një studim antropologjik i kryer në shumë vende (Shqipëri, Itali, Greqi) mbi migrantët dhe jomigrantët fshatarë shqiptarë. Ai tregon se si përvoja e migracionit në disa raste ka çuar drejt një zbehjeje ose ridiskutimi të sjelljes solidare të meshkujve drejt prindërve të moshuar dhe farefisit patrilineal, edhe pse idetë e e farefisit jomigrant patrilineal nuk ndryshojnë aq shpejt. Në shumë raste ajo ka çuar në një zgjerim të solidaritetit lokal femëror përtej kufijve kundrejt farefisit të tyre (jo gjithmonë patrilateral), edhe pse në një masë të caktuar kjo varet nga i shoqi i gruas.

Çfaqjet konkrete të solidaritetit midis shqiptarëve migrantë dhe farefisit të tyre jomigrant japin elementë veçanërisht domethënës që ia vlejnë të merren parasysh kur analizojmë proceset e ditëve tona të ridiskutimit të detyrimeve të solidaritetit në grup. Në këtë artikull unë trajtoj çështjet kërkimore të mëposhtme:

- A po ridiskutohen modelet tradicionale të detyrimeve të familjes së zgjeruar?
- A është shoqëruar në të njëjtën kohë ngushtimi gradual i sjelljes solidare konkrete, nga anëtarët e familes së zgjeruar patrilineale tek familja nukleare, me një zgjerim të një sjelljeje të tillë që të përfshijë edhe farefisin e gruas së martuar?
- Çfarë na tregon sjellja e dërgimit të të ardhurave midis grave emigrante të martuara dhe farefisit të tyre jomigrant për përmasat e këtyre shndërrimeve?
- Si interpretohet kjo sjellje nga aktorët e shoqërisë shqiptare lokale dhe migrante?

Siç theksojnë Mahler dhe Pessar (2006, 45), “Po ashtu si pasuria në përgjithësi, paratë e dërguara pasqyrojnë dhe përcjellin pushtet”. Praktikat e dërgimit të parave dhe të linjave të tjera të solidaritetit nga gratë shqiptare migrante të martuara drejt farefisit të tyre janë material tepër interesant që mund të çojë në riinterpretimin e debatit në vijim e sipër rreth faktit nëse migracioni është një kryesisht një proces që forcon pabarazinë dhe shtypjen gjinore në shtëpi dhe jashtë vendit, apo, përkundrazi, është një vektor i çlirimit të grave prej strukturave gjinore mbizotëruese të vendit të origjinës. Një numër gjithmonë e më i madh studimesh ka treguar gjatë viteve të fundit se kostot dhe përfitimet e migracionit ecin ndryshe për gratë e ndryshe për burrat në familjet migrante. Në rastin shqiptar që shqyrtohet në këtë artikull, a tregon dërgimi i parave nga ana e një gruaje përjashta linjës familjare ku është martuar, dhe drejt linjës familjare nga vjen ajo (ose të ëmës) për orvatje që të ndreqet ajo që është perceptuar si shpërndarje e padrejtë e përfitimeve që dalin nga “sakrificat e familjes”?

Në mënyrë që të plotësohen dhe pasurohen interpretimet që u bëjmë ne studimeve sasiore rreth sjelljes së dërgimit të parave, një synim i këtij artikulli është të “çpaketojë” tensionet e ndryshme dhe ndërtimin e mëpasëm të koalicioneve që mund të ndodhin në familjet shqiptare kundrejt çështjes së vështirë të ndihmës që u japin gratë e martuara familjeve të tyre të origjinës. Analiza e mënyrës me të cilën arrihen marrëveshje mbi interesa që bien ndesh me njëra tjetrën, dhe me të cilën ato shprehen nëpërmjet praktikave dhe diskutimeve, çon në disa përgjigje të hamendësuara ndaj pyetjeve që u shtruan më lart.

Kur ajo çka pret farefisi jomigrant nuk përmbushet nga sjellja solidare e të afërmve meshkuj migrantë/jomigrantë, a mund ta “mbushë zbrazëtirën” solidariteti femëror kundrejt të afërmve, apo kjo do të interpretohet si diçka e një natyre tjetër?