Revista PERPJEKJA

Ndodheni këtu: Faqja kryesore
E Mërkurë, 08 Dhj 2021
E Premte, 25 Shkurt 2011 10:19

Mes mosqasjes shoqërore dhe trafikimit të përsëritur: Mundësitë dhe zgjedhjet e shqiptareve të dëbuara nga Mbretëria e Bashkuar

Schwandner-Sievers hulumton situatën e kthimit dhe rreziqet e ritrafikimit të azikërkuesve shqiptare në Britaninë e Madhe nëqoftëse ato deportohen në Shqipëri.

Kërkimet e saja u kryen në lidhje me një “rast udhëheqës për vendin” që u gjykua në Instancën e Lartë të Gjykatës së Apelit për Imigracionin në Londër, që u mor si vendim në fillim të 2010-s dhe që do të shërbejë si shembull bazë për vendimet që marrin gjykatat e imigracionit në Britaninë e Madhe për çështje të ngjashme, për shumë vite në të ardhmen.

Në pjesën e parë, materiali i saj hedh dritë mbi faktorët e ndryshëm që informojnë përfaqësimin me shifra, dhe në mënyra të gërshetuara, përfaqësimin ndërkombëtar të fakteve mbi fenomenin e trafikimit shqiptar. Faktorë të tillë përfshijnë: përkufizimet e kundërshtuara në nivel ndërkombëtar; shqetësimet për imazhin kombëtar në Shqipëri dhe nganjëherë ide stereotipe në Britaninë e Madhe; shqetësimet morale dhe stigmat sociale në vendin amtar dhe botën e jashtme; dhe politikat e ndryshme të interesit (ku përfshihen perspektivat e grave, policisë dhe OJQ-ve). Gjithashtu, përkufizimet ligjore ekzistuese – në vijim të problemeve procedurale, qeverisjes (me forma patrimoniale) së dobët dhe korrupsionit – ndikojnë tek suksesi i identifikimit. Ky grup i sapopërmendur problemesh del në pah sidomos si burim rreziqesh të shumta kur gratë viktima kërkojnë mbrojtje dhe drejtësi nëpërmjet autoriteteve në vendin e tyre.

Artikulli i Schwandner-Sievers, në pjesë të mëtejshme të tij, merr si bazë dhe kapërcen studimet ekzistuese ku shqyrton efektet e ideve dhe konceptet kulturore të ngulitura thellë në shoqërinë e sotme shqiptare përsa u përket situatës së kthimit të grave të trafikuara. Është vënë re se këto qëndrime kulturore shpreheshin gjatë intervistave nga përfaqësues të autoriteteve, shumë prej OJQ-ve mbështetëse dhe personelit të strehëzave, e madje edhe nga gratë viktima, të shfrytëzuara nga trafikantë dhe kodoshë, që i kishin përvësuar si besime të tyre. Në bazë të metodave antropologjike të interpretimit, ajo analizon imtësisht semiotikën e koncepteve të tilla si “kurva”, nderi dhe turpi dhe analizon efektet e tyre. “Familizmi”del sidomos si një koncept i kulturor i rëndësishëm, që ua kufizon grave të kthyera të drejtat e tyre njerëzore për zgjedhje, meqenëse – kjo për arsye të mungesës së formave alternative të mbrojtjes nga shteti ose shoqëria dhe alternativave të sigurimit, mungesës së vizionit dhe stigmës së kudogjendur – të gjitha institucionet mbështetëse ende mbështeten në riintegrimin në familje / rimartesë si e vetmja alternative afatgjatë e me bukë për sigurim dhe mbështetje. Schwandner-Sievers konkludon se “efektet e një familizmi kulturor të rrënjosur thellë nga ana kulturore dhe stigma përkatëse për gratë shqiptare jashtë mbrojtjes dhe kontrollit nga familja … në realitet i zënë ato në një kurth të “përbuzjes shoqërore”që e bën të tepërt pyetjen nëse ka ritrafikim “me dëshirë”ose “vullnetar”, dhe që ngelet e pakapur nga panorama që ekzistojnë për trafikimin shqiptar”.