Revista PERPJEKJA

Ndodheni këtu: Faqja kryesore
E Mërkurë, 27 Tet 2021
E Premte, 30 Shtator 2011 21:30

Ne sot kemi më shumë përvuajtsi dhe më pak iluzione

Jurgen Habermas bisedon me Adam Miçnik

Adam Krzeminski: Ju keni pasur jetë dhe përvoja të ndryshme me të majtën evropiane. Mendoj se duhet venë në dukje ky dallim përpara se të fillojmë të diskutojmë mbi Gjermaninë, proçesin e vështrimit të së kaluarën si dhe për fazat e ndryshme të zhvillimit në të cilat ndodhen Polonia dhe Gjermania. Ndoshta mund të fillonim me ngjarjet e vitit 1989. A ishte për ju rënia e murit të Berlinit dhe bashkimi gjerman një e papritur?

Jurgen Habermas: Sigurisht, unë u befasova po aq sa pjesa më e madhe e gjermanëve. E kisha vizituar Gjermaninë Lindore në 1988-n me rastin e një konference në Halle. Mbresa që më la zymtësia e gjermano-lindorëve në këtë simpoziumishte tronditëse. M'u dukën cinikë dhe të dëshpëruar. U ishte shuar çdo rreze shpresë për të ardhmen. Ajo që ndodhi tregoi se në ç'gradë ishte rrënuar në vetvete sistemi. Por s'kam pse ta mohoj se nuk e kisha parashikuar kolapsin e tij.

Adam Miçnik: Më kujtohet një bashkëbisedim me ju në Varshavë në 1979-n. Vura re se nuk kishit shumë dëshirë të bisedonit për problemin e bashkimit gjerman. Unë qëndroja përpara jush me përvuajtësi, sepse s'kishe se si të mos qëndroje i përvuajtur kur bisedoje me Habermasin, por, më pas, mora guximin t'ju thoja se e majta gjermane, duke mos dashur assesi ta pranonte forcën dinamike të ndjenjës nacionaliste tek gjermanët, po bënte të njëjtin gabim që kishte bërë Roza Luksemburgu në Poloni. Paradoksi është se, me sa duket, isha unë që kisha të drejtë asokohe. Por, kur lexova polemikën tuaj rreth Debatit të Historianëve mendova se ju kishit të drejtë që e kritikonit Stürmerin, Hillgruberin dhe Nolten për mohimin që i bënin unicitetit të krimeve të Hitlerit në krahasim me ato të Stalinit dhe që me këtë po nxisnin një ringjallje të nacionalizmit. Jam plotësisht i një mendje me ju rreth Debatit të Historianëve dhe mendoj se ne polakët do të mund të përfitonim shumë edhe nga ky debat edhe nga prania në të e Habermas-it. Megjithatë, lidhur me problemin e bashkimit gjerman, them se ndoshta unë kisha të drejtë pasi klasa e intelektualëve gjermanë vërtet e nënvleftësoi atë.